Bordi i KEK-ut premton rritje të pagave për punëtorët, por do racionalizim të shpenzimeve

Bordi i KEK-ut premton rritje të pagave për punëtorët, por do racionalizim të shpenzimeve

09 shkurt 2018 18:16

Bordi i drejtorëve të KEK-ut, përmes një deklarate për media thotë se dëshiron që të sigurojë të gjithë punëtorët e KEK-ut se mirëqenia e përgjithshme e punëtorëve të saj është dhe do të jetë një ndër objektivat kryesore të Bordit, përkundër barrës që ka në gjendjen financiare të KEK-ut dhe situatën nëpër të cilën ka kaluar korporata.

“Sa i përket ngritjes së pagave, Bordi është shprehur se kjo rritje ka kosto dhe ndikon në gjendjen financiare të KEK-ut. Megjithatë, është theksuar se rritje do të ketë. Mirëpo, për ta realizuar këtë, duhet pas racionalizim të shpenzimeve operative, gjithnjë pa cenuar mirëmbajtjen dhe investimet kapitale”, thuhet në njoftim.

“Në këtë vijë, Bordi edhe një herë ka rikonfirmuar se në parim është për të çuar proceset përpara. Si rrjedhojë, është kërkuar nga menaxhmenti rishikimi i planit aktual buxhetor dhe identifikimi i mundësive konkrete të racionalizimit. Për më tepër, Bordi është në pritje të Raportit Vjetor të performancës dhe raportit të auditimit të pavarur financiar për pasqyrat financiare në fundvit (2017) për një pasqyrë më të qartë financiare”, thuhet më tej në reagim.

Sindikata e Re e Korporatës Energjetike e Kosovës ka protestuar dje në Prishtinë me kërkesën për ngritje të pagave për punëtorët e KEK-ut. Përmes kësaj proteste është kërkuar që paga e punëtorëve të KEK-ut të ngrihet në mënyrë lineare nga 100 euro, gjë që ka qenë edhe premtim i kryeministrit Ramush Haradinaj.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme