Basholli thotë se marrëveshja e dy kryeministrave s’mund t’i kthejë Kosovës rreth 8 mijë hektarë

Basholli thotë se marrëveshja e dy kryeministrave s’mund t’i kthejë Kosovës rreth 8 mijë hektarë

09 shkurt 2018 17:45

Anëtari i Komisionit për demarkacionin, Hamid Basholli në Express Intervistën në KTV, ka folur për faktet e reja për demarkacionin.

Ka thënë se Komisioni po vazhdon me punët e rregullta, duke shtuar se kanë mbetur edhe disa punë për t’i kompletuar të gjitha faktet.

Përveç raportit të demarkacionit, ai ka thënë se Komisioni i rregullt me mandat 3 vjeçar bën punën me të gjithë kufijtë që Kosova kufizohet.

“Qëllimi i krejt punës tonë është gjetja e të vërtetës, janë fakte për të siguruar vetëm të vërtetën”, tha ai.

Ka thënë se raporti ka qenë i përgatitur si raport preliminar, por të gjitha të gjeturat tjera e bëjnë një punë përfundimtare.

“Miratimi i raportit është final”, tha ai.

“Jemi në dijeni se Komisioni ka punën për vendimmarrje. Komisioni dhe vërejtjet tona me Komisionin e kaluar tregojnë se jemi duke punuar në gjetje të fakteve dhe çka të ka nevojë politika nga ne, ne do të punojmë, por gjithmonë duke u përputhur në gjetjet tona”, tha ai.

Ka thënë se nuk beson që politika në Kosovë do t’i kërkojë këtij Komisioni diçka jashtë asaj që ata punojnë.

Ai tha se neni 7 flet saktësisht për marrëveshjen për procesin e shënimit të kufirit me shtetin fqinj, në këtë rast Malin e Zi, dhe sipas tij, nuk do t’i kalojnë kompetencat politike.

“Komisioni do të kujdeset që kur të bëhet shënjimi, të mos ketë dëmtim të njërës palë apo tjetrës”, tha ai.

Në pikën 7, ndër të tjera thuhet se Komisionet Shtetërore të kufijve të palëve do të formojnë një trup të përbashkët pune në juridiksionin e të cilit do të jetë që, në bazë të dokumenteve të përcaktuara në nenin 2 të kësaj Marrëveshjeje, të kryejë në terren shenjëzimin e kufirit të përcaktuar me këtë marrëveshje dhe të krijojë dokumentacionin për kufirin e përbashkët shtetëror, në të cilin do të bëhet përshkrimi i mënyrës së shënimit të saj dhe përcaktimi i pozicionit të shenjave kufitare.

Por, sipas tij, vizita e kryeministrit të Malit të Zi, Dushko Markoviq, nuk do të ndikojë që Kosovës t’i kthehen hektarët e humbur.

Ka përmendu aksidentet në vitet e 80-ta që kanë ndodhur në atë pikë, të cilat sipas tij, janë përfshirë edhe në raportin e tyre final.

Në fund ka thënë se janë të sigurt që Kosova ka humbur tokë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme