Raportin për gjendjen e mjedisit në Kosovë s’ka kush ta miratojë

Raportin për gjendjen e mjedisit në Kosovë s’ka kush ta miratojë

09 shkurt 2018 14:23

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë shqyrtuar Raportin për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2016, por nuk e kanë miratuar për shkak të mungesës së kuorumit, raporton KosovaPress.

Megjithatë, gjatë debatit pati kritika për mos ndërmarrje të masave për ndotjen e ambientit në Kosovë. Sipas deputetëve, shtretërit e lumenjëve vazhdojnë të jenë në gjendje të keqe, derisa ajri vazhdon të jetë alarmant për shëndetin e qytetarëve dhe secilin vit po diskutojnë për të njëjtin problem.

Deputeti i Vetëvendosjes, Sami Kurteshi, e ka quajtur vetëm një pjesë ndotjen e ajrit dhe ambientit në Prishtinë, për të cilin diskutuan gjatë javës së kaluar, në raport me gjendjen e cila ndodhet në tërë Kosovën.

Sipas Kurteshit, Kosova e ka Ligjin për mbrojtje të ambientit, sidomos të ndotjes së ajrit nga viti 2010, derisa vetëm në vitin 2018 po diskutojnë për një gjendje alarmante e të rrezikshme për shëndetin e njeriut.

“Nëse ky Kuvend nuk ndërmerr asnjë hap për kontrollimin dhe marrjen e masave për zbatimin e këtyre ligjeve dhe për kontrollin ndaj institucioneve përgjegjëse shtetërore, në këto ligje ne kemi disa masa të rëndësishme, atëherë vetëm do të votojmë për raporte, ato sigurisht do t’i kalojmë, sepse në momente kemi interesa për dhe kundër. Por unë frikësohem se vitin e ardhshëm do të diskutojmë sërish në këtë periudhë kohore përafërsisht kur edhe kushtet atmosferike janë të tilla që mundësojnë një koncentrim të ndotjes së ajrit në Prishtinë dhe frikësohem se do të konstatojmë se zhurma e madhe në Kuvend, diskutimi i flakët e emocional nganjëherë edhe politik, sepse jemi institucon politik, por kjo nuk ka pasur ndonjë vlerë sepse masat e proklamuara nuk janë zbatuar”, tha Kurteshi.

Deputeti Andin Hoti nga PDK tha se ky raport paraqet gjendjen reale në Kosovë, pasi janë dëshmitar të asaj se çfarë po ndodhë me mjedisin në Kosovë me degradimin e lumenjve dhe tokave bujqësore.

“Siç duke jemi mësuar që çdo gjë të na zë të papritur dhe atëherë të na bie ndërmend dhe si pasojë e kësaj na është pamundësuar edhe esencialja për jetesë, pra na është vështirësuar edhe ajri, që ka qenë aktuale këto ditë në Kosovë. Jemi dëshmitar të shumë epidemive në Kosovë dhe hasim çdo ditë në lajme të tilla siç është rritja e përvitshme e rasteve të kancerit në Kosovë”, theksoi Hoti.

Ndërsa, deputeti i Nismës Scialdemokrate, Enver Hoti tha se gjendja e mjedisit në Kosovë është e rëndë për shkak të faktorit njeri.

“Ajo që është duke ndodhur me degradimin e mjedisit, ka adresa, dihet, ka operator që nuk japin përgjegjësi dhe nuk japin asnjë masë të cilën e marrin institucionet përkatëse. Unë do t’i ndaja kështu, degradimi që po ndodh në mjedis dhe si pasoj kemi pasoja të rënda si për shëndetin ashtu për ambientin, për ekonominë dhe gjitha sferat dëmet janë të mëdha dhe afatgjata, ndodhin si në fazën e planifikimit, ashtu edhe në fazën e zbatimit të planeve që realizohen nga institucionet përkatëse. Projektimet nuk bëhen si duhet apo bëhen për t’u mos u zbatuar”, u shpreh Hoti.

Deputeti i Grupit Parlamentar 6+, Danush Ademi, ka kërkuar nga institucionet që të merren edhe me komunitetet në Kosovë të cilët çdo ditë shkojnë nëpër kontejnerë dhe vrapojnë pas kamionëve që dërgojnë bërllokun nëpër deponi për të siguruar bukën e gojës. Ai ka pyetur nëse edhe për ta është ajri i ndotur.

“Komunitetet një pjesë e madhe e tyre shkojnë nëpër kontejnerë tërë ditën edhe nuk është diskutuar për ta se a është në pyetje edhe prishja e ajrit përderisa ata tanë ditën vrapojnë nëpër kontejnerë dhe vrapojnë pas kamionëve ku hidhen mbeturina nëpër deponi për të siguruar një ekzistencë për komunitete, shtrohet pyetja ajri a është i ndotur edhe për ata persona. Unë mendoj se institucionet duhet të mendojnë edhe për atë kategori, mos t’i lënë ashtu, sepse jeta e qytetarëve duhet të jetë e barabartë e jo për dikë me pozitive, për dikë pak me negative”, tha Ademi.

Deputetët patën kritika edhe për vonesën e shqyrtimit të këtij raporti. Deputeti Xhelal Sveqla e ka vënë në dilemë dobinë e debatit për ambientin, meqë po diskutohet për raportin e vitit 2016 në mes të muajit shkurt të vitit 2018.

Sipas tij, nga viti 2016 situata ka ndryshuar për keq, prandaj ka nevojë për angazhime shtesë.

Kurse, kryesuesi Xhavit Haliti, tha se ata që nuk marrin pjesë në seancë do të penalizohen.

“E keni të ndaluar për të shkuar jashtë dhe nuk guxon askush. S’ka grupe punuese, asnjë grup punues nuk do të funksionojë. Seancë kemi të martën në ora 10:00, me vazhduar seancën për pikën 12:00. Komisioni nuk ka me shkuar, komisioni nëse shkon nuk ka asnjë benificion dhe do të penalizohet me mëditje. Ne kemi seancë nuk na intereson asgjë tjetër, kjo është puna jonë“, tha ai.

Vazhdimi i seancës do të jetë të martën në orën 10:00, për të diskutuar rreth pikës 12, e 10 dhe e 9 e rëndit të ditës dhe votimi i pikës 14, pasi nuk pati kuorum për votim.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme