Barometri Kosovar i Sigurisë: Shqipëria vendi më miqësor, Serbia kërcënimi më i madh

Barometri Kosovar i Sigurisë: Shqipëria vendi më miqësor, Serbia kërcënimi më i madh

09 shkurt 2018 11:43

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, ka lansuar sot rezultatet e Barometrit Kosovar të Sigurisë – Edicioni Special për Politikën e Jashtme të Kosovë dhe Dialogun me Serbinë. Edhe këtë vit, në këtë raport janë përmbledhur rezultatet e perceptimeve të respodentëve lidhur me partnerët strategjikë për Kosovën, perceptimet ndaj shteteve rajonale, akterëve kryesorë në nivel global, si dhe struktura multilaterale si] janë BE dhe NATO.

Rezultatet e Barometrit 2017, rikonfirmojnë trendin e qëndrimit pozitiv ndaj Shqipërisë, i cili mbetet i pandryshuar përgjatë viteve. Shqipëria - mes të gjitha vendeve të renditura në pyetësorin e anketës, konsiderohet si vendi më miqësor ndaj Kosovës dhe aleati e partneri strategjik më i madh.

Njëkohësisht, rezultatet e BKS-së 2017 rikonfirmojnë prirjen e perceptimeve negative ndaj Serbisë. Rreth 90.0 për qind e qytetarëve e shohin Serbinë me lente negative. Për më tepër, një pjesë e madhe e të anketuarve e konsiderojnë Serbinë si një nga kërcënimet më të mëdha të jashtme ndaj sigurisë në Kosovë.

Perceptimet neutrale dhe pozitive ndaj Maqedonisë dhe Malit të Zi. Siç duket ndryshimi i qeverisë në Maqedoni është parë nga një kënd pozitiv, ndërsa sa i përket Malit të Zi çështja e demarkacionit nuk duket se ka arritur të ndryshojë qasjen e opinionit publik ndaj këtij shteti. Kroacia perceptohet si vend mik, si aleat e një partner strategjik për Kosovën - duke përfshirë edhe komponentin ushtarak. Nga ana tjetër, Bosnja dhe Hercegovina shihet si neutrale ndaj Kosovës.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës perceptohen si shumë miqësore ndaj Kosovës. Shtetet e Bashkuara shihen përtej kornizës së marrëdhënieve të zakonshme dypalëshe; ato perceptohen më shumë si një nga aleatët dhe partnerët strategjikë më të mëdhenj të Kosovës. Ngjashëm, Gjermania renditet si aleati dhe partneri strategjik më i madh i Kosovës në Europë. Për më tepër, nga pikëpamja statistikore, 88.9 për qind e të anketuarve e cilësuan Gjermaninë si shtet shumë miqësor ndaj Kosovës.

Britania e Madhe dhe Franca shihet nga një prizëm pozitiv me tendencë të neutrales. Marrëdhëniet me Francën perceptohet si neutral për shkak të interesit të vakët që ky shtet ka ndaj Ballkanit në përgjithësi, por edhe Kosovës në veçanti. Kurse, shpresat se Britania e Madhe do të vazhdojë të jetë po aq mbështetëse për Kosovën pas daljes nga BE-ja mbajnë trendin pozitiv ndaj këtij vendi ende shumë lartë.

Në anën tjetër, Turqia shihet si partner strategjik potencial për Kosovën. Ky perceptim pozitiv është i ndërlidhur ngushtë me faktorë ekonomik, politik, por edhe kulturor. Kurse, qasja e Rusisë ndaj Kosovës konsiderohet si shumë armiqësore. Prirja negative, ngjashëm me edicionet e mëparshme të BKS-së, u atribuohet lidhjeve të ngushta diplomatike mes Rusisë dhe Serbisë, por edhe të perceptimet e të nivelit të lartë për influencën Ruse në pjesën veriore të Kosovës.

Edhe pse vendi me më së paku gjasa për anëtarësim në BE në krahasim me vendet e rajonit, rreth 93.6 për qind besojnë se Kosova duhet të anëtarësohet në BE pavarësisht se ky mbetet “qëllim i largët”. Krahas kësaj, 89.0 për qind e qytetarëve besojnë se Kosova duhet të synojë anëtarësimin në NATO. Me përjashtim të një përqindjeje të kufizuar të të anketuarve, ndërveprimi i zgjeruar me NATO-n shihet si tregues pozitiv dhe si një shans për anëtarësimin e Kosovës në NATO. Qasje diametralisht të kundërta ndajnë respodentët Shqiptarë dhe ata Serb në lidhje me integrimet Euro-Atlantik. Në mesin e respodentëve Serb ka një tendencë për orientim drejtë Rusisë – kështu duke përcjellë politikën e Jashtme të Beogradit, me një skepticizëm kundrejt strukturave perëndimore.

Kur janë pyetur për Dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë shumica e të anketuarve, saktësisht 57.3 për qind (58.0 për qind e të anketuarve shqiptarë dhe 61.0 për qind e atyre serbë), pohuan se marrëveshjet e arritura në Bruksel nuk kanë asnjë ndikim në normalizimin e marrëdhënieve. Kjo qasje vie si pasojë e tensioneve politikë në mes të Kosovës dhe Serbisë, deklaratat dhe narracioni nacionalist i politikanëve Serb kundrejt Kosovës, por edhe tendencat e Serbisë për të futur ndarjen e Kosovës në agjendë të dialogut.

Kur janë pyetur rreth asociacionit të komunave Serbe, rreth 73.0 për qind e të anketuarve besojnë se marrëveshja e Asociacionit është shumë e dëmshme dhe do të ketë ndikim domethënës në funksionimin e brendshëm të Kosovës. Është e domosdoshme të përmendet se një përqindje shumë e kufizuar e të anketuarve serbë, rreth 6.0 për qind, besojnë se Asociacioni do të ketë ndikim negativ në Kosovë. Duke u përballur me ngërçin politik, zgjedhjet e parakohshme, qëndrimet kundërshtuese ndaj Asociacionit dhe frikën nga ndikimi më i zgjeruar i Serbisë në çështjet e brendshme të Kosovës, shumica e të anketuarve kishin perceptime negative kur u pyetën rreth Asociacionit.

Të pyetur se kush përfiton më shumë nga dialogu, secila palë shfaqi prirjen t’a konsiderojë tjetrën si fituese. Ky perceptim është zhvilluar kryesisht për shkak të mungesës së informacionit të mjaftueshëm në lidhje me dialogun, mungesës së besimit ndaj qeverive përkatëse dhe dykuptimësisë konstruktive të BE-së. Rreth 48.5 për qind e të anketuarve shqiptarë besojnë se Serbia po përfiton më shumë se Kosova, duke iu referuar kryesisht perspektivës së anëtarësimit të Serbisë në BE, e cila kryeson procesin e integrimit në BE. Nga ana tjetër, rreth 29.3 për qind e të anketuarve serbë besojnë se Kosova po përfiton më shumë se Serbia.

Më tepër detaje në lidhje me rezultatet e anketës së BKS të zhvilluar në fillim të tetorit 2017 mund të gjeni këtu.

 

 

 

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme