Vesna Peshiq: Çmenduria e nacionalistëve serbë kundër Nobelit për Kandiqin

Vesna Peshiq: Çmenduria e nacionalistëve serbë kundër Nobelit për Kandiqin

09 shkurt 2018 09:58

Përndjekja fashiste e Marinka Tepiqit dhe përhapja e shpejtë e grupeve fashiste e mafioze në Serbi nën përkujdesjen e pushtetit, për çka ka shkruar Lubodrag Stojadinoviq, përbën fenomen i cili mund të përfshihet në ndonjë rubrikë si “Hiquni budallenjve, të tillë ka kudo”.

Fatkeqësisht, me gjasë, nuk është bash ashtu. Ne kemi probleme. Ky nuk është fenomen i parëndësishëm, por është vetë qendra e pushtetit aktual që drejton këtë shoqëri e shtet. Atmosfera e tashme për këtë pushtet është ambient i natyrshëm të cilin ai e krijon automatikisht. Brenda tij personalitetet sunduese të këtij shteti ndihen më së miri. Në atë ambient ata janë në shtëpi dhe vetëm me veten. Atyre u imponohen por e kanë shumë më vështirë të bëjnë rolin e bashkëbiseduesve të politikanëve nga Bashkimi Europian dhe të vendeve të tjera të erëndimit. Shpesh qahen haptas duke iu ankuar popullit të dashur “a kujtoni se për mua është e lehtë”. Për ta Misha Vasiq, Zavetnici (Betimtarët), radikalët, nediqët (nga Nediqi), lotiqët (nga Lotiqi) dhe fashistët e tjerë vendës e të huaj (të vjetër e të rinj) janë shoqëria më e pëlqyer. Për zgjedhjet e ardhshme në Beograd tashmë janë paraqitur disa lista të tilla dhe ato kanë marrë numrat rendor, në saje të dorës së shtrirë nga kreu i pushtetit.

Kur thuhet “ambasadat e huaja”, nuk mendohet në ato ruse, iraniane, apo kineze, por ato janë shifra mentalitetesh me të cilat vetëkuptohen ambasadat perëndimore si armike të popullit serb dhe të Serbisë. Nga një vend i tillë, të cilin fashistët serbë e urrejnë më së shumti, e kjo është Amerika, vjen një goditje e papritur, drejt në kokë. Dy politikanë amerikanë të ranguar lartë - senatori Roger Wicker, kryesuesi i Komisionit të Helsinkit, dhe Eliot Engel, përfaqësues në Senatin amerikan dhe kryetar i Këshillit për Politikë të Jashtme – kanë nominuar Natasha Kandiqin dhe Fondin për të Drejtën Humanitare drejt e për Çmimin Nobel për Paqe për vitin 2018. Kjo qytetare jona e merituar dhe e guximshme, mision jetësor i të cilës është që secila viktimë e luftërave të kaluara të evidencohet dhe secili kryes të ndëshkohet, me të cilën duhet të jemi krenarë, ka kaluar nëpër ferrin e fyerjeve e të kërcënimeve. Sulmeve nëpër tabloide “Ka mbështetur terroristët, tash vrapon pas Nobelit”, “Shipçat: Kongresistët amerikanë propozojnë Natash Kandiqin për Nobel”) iu bashkua edhe Shesheli, i cili ka thënë “se Kandiq është për dajak, e jo për Nobel”, si dhe Zavetnici (Betimtarët), të cilët e kanë fyer Natashën dhe kanë bërë demonstratë para Shtëpisë së Drejtave të Njeriut, të bindur se ajo punon aty.

Eh, sikur të ishin vetëm “disa budallenj” nuk do të ishte problem. Serbia nuk do të ishte vend i dështuar sikur të mos refuzonte të ballafaqohej me të kaluarën e vet të keqe, pa çka s’mund të bëhet vend i qytetëruar ku sundon drejtësia. Shembulli i Natashës tregon se një pjesë e madhe e opinionit të këtushëm është e helmuar me mendim të gabuar për luftërat nga vitet e nëntëdhjeta, si për thelbin e politikës që çoi në luftëra, ashtu edhe masivitetin dhe peshën e krimeve që ka bërë pala serbe. Ky helmim është rritur gjatë pesë vjetëve të fundit për shkak të mbisundimit të ndotjes së mentalitetit që prodhojnë radikalët përmes Partisë Përparimtare Serbe (Srpske napredna stranka). Kam gjetur një citat rreth asaj se si e ka kuptuar Zoran Gjingjiq Partinë Radikale Serbe. Ajo që ka thënë ai i shkon më së miri binjakes së saj, Partisë Përparimtare Serbe. Këto janë fjalët e tij:

“Sa i përket Partisë Radikale Serbe, për të nuk dua të flas shumë. Do të përpiqem të kufizohem në tri a katër fjali, duke shfrytëzuar maturitetin nga historia dhe nga literatura, meqë ky nuk është fenomen politik. Partia Radikale Serbe është fenomen mentaliteti. Ajo është problem serioz i shoqërisë sonë. Ajo nuk është fenomen politik. Më së paku është fenomen politik”. Duke u mbështetur në fjalët e Jovan Duçiqit, Gjingjiq thotë se nuk është problem “se ata nuk kanë frikë nga asgjë, meqë janë qyqarë, porse s’kanë turp për asgjë. Ata e ulin nivelin e jetës publike e politike aq poshtë sa që njerëzit me ndërgjegje ikin nga ajo politikë. E pastaj do të keni politikë në shkallën më të ulët të mundshme të qytetërimit, ku dallimi, kufiri midis nderit e pandershmërisë, në mes të të vërtetës e gënjeshtrës, midis fakteve e shpifjeve, midis asaj që është e turpshme dhe asaj që është e ndershme fshihet plotësisht. Atëherë do të jeni në baltë deri në fyt, ndërsa ata thonë: Ejani të diskutojmë. Ejani të diskutojmë në terrenin tonë – në baltë deri n ë fyt. E tillë është Partia Radikale Serbe në skenën tonë politike, në historinë tonë, në fatin tonë. Ajo nuk është kundërshtare politike as për mua, as për cilindo nga njerëzit të cilët merren me nderë me politikë. Ajo është virus. Ashtu siç virusi për disa organizma nuk është armik, ashtu edhe Partia Radikale Serbe nuk është armike, por është problem, është sëmundje. Kur thonë, e ky është njëri nga argumentet e tyre kryesore, se unë punoj për shërbime të huaja informative, se jam hajn, kriminel, se kam prindërit nga përkatësi tjetër kombëtare dhe kush e din çfarë thonë tjetër, përgjithësisht këto janë kryesoret – flamujt e huaj, shërbimet e huaja informative, tradhtia, atëherë unë them: në vendin ku ekziston Partia Radikale Serbe, është luks i pastër që cilido armik të jetë të investojë qoftë edhe një dinar për shkatërrimin e saj. Deri sa të jetë Partia Radikale Serbe me këtë forcë në Serbi, të gjithë armiqtë e Serbisë mund të bëjnë gjumë të rehatshëm. Dhe ata këtë po bëjnë.”

Ky sqarim është i rëndësishëm për Serbinë e sotshme. Kjo “parti “ mentaliteti është helmuese me fashizëm, rusofilizëm të pacipë dhe urrejtje ndaj perëndimit. Nga na vijnë Zavetnici, Partia Ruse, Partia Ultradjathiste e Misha Vasiqit, fashistët anglezë – përndjekësit e Marinka Tepiqit, të gjitha llojet e nacionalistëve që fyejnë Natasha Kandiqin, Shesheli i cili do të dëshironte ta ngulte në hu, strukturat paralele mafioze që kryejnë likuidime, një vistër partish të rreme dhe frika e madhe ekzistenciale – shpjegohet me sëmundjen radikale, me një sëmundje tonën. Gjingjiq këtë e ka kuptuar mirë. Na mbetet problem i madh dhe detyrë: të luftojmë për politikë të ndershme dhe të çlirohemi nga i sëmuri radikal që krijon këtë gjendje patologjike (marrë nga gazeta e Beogradit, “Peščanik “)

(Vesna Peshiq, politikane, luftëtare për të drejtat e njeriut dhe aktiviste kundër luftës, sociologe)

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme