Arbëri

Diplomacia amerikane e evropiane zotohej ta zgjidhë çështjen e Veriut

Descriptive Text

21:10 - Ndonëse 10 vite më parë integrimi i veriut të Mitrovicës u parapa të bëhej gradualisht, nuk mendohej se do të shkonte kaq gjatë.

Kosova në prag të dekadës së parë të pavarësisë nuk ka arritur që ta bëjë këtë në mënyrë të plotë.

Çështja e veriut ende mbetet problematike për vendin.

Blerim Shala në një intervistë për Rubikon të KTV-së tregon se si shteti amerikan premtoi se do ta zgjidhë çështjen e veriut.

“Porosia që e kemi marrë si Ekip Uniteti nga diplomacia amerikane dhe evropiane ka qenë se ky është problem i joni, ju nuk duhet të jeni emocional, nuk duhet të reagoni përtej mekanizmave politik, këtë punë do ta zgjidhim ne”, ka thënë ai.

Shala kujton trazirat kur u provua të hapej Gjykata e Qarkut në Mitrovicë duke theksuar se pikërisht atëherë duhet të reagonte si Perëndimi ashtu edhe OKB me të gjitha mekanizmat e tyre për ta integruar atë pjesë.

“Nuk deshën sepse menduan që më mirë është gradualisht, me kalimin e kohës e jo me masa radikale, të cilat ne insistonim atë kohë sepse ne mendonim vërtet që bashkësia ndërkombëtare duhet ta tregonte vetën edhe në Veri”, ka thënë ai.

Sipas Shalës, ishte interes i Serbisë që vazhdimisht ta pengojë integrimin e veriut përndryshe nuk do të kishte për çka të bisedohej në Bruksel.


Shala tregon përmbajtjen e marrëveshjes finale për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë

20:55 - Kosova ka hyrë në fazën finale të dialogut me Serbinë dhe me këtë presidenti Hashim Thaçi ka paralajmëruar krijimin e një Ekipi të Unitetit i cili do të marrë përgjegjësitë nga ky dialog.

Këshilltari i tij, Blerim Shala në një intervistë për Rubikon foli se si mund të duket teksti nga marrëveshja e normalizimit të marrëdhënieve.

Shala theksoi se ata do të insistojnë që marrëveshja të përcillet me njohjen e shtetësisë së Kosovës nga pala serbe.

Ai tha se brenda tekstit nuk mund të ketë më “dykuptimësi të cilat kanë luajtur rol në të kaluarën”.

“Marrëveshja ndërkombëtarisht obligative duhet të përmbaj një tekst bazik themelor politik. Çka nënkupton normalizimi i marrëdhënieve Kosovë – Serbi dhe pastaj normalisht do të rreshtoheshin të gjitha marrëveshjet teknike të arritura deri tash”, ka thënë ai.

Shala përmendi strategjinë e Bashkimit Evropian ku thuhet se asnjë shtet nuk mund të bëhet pjesë e saj nëse nuk i ka kufijtë e rregulluar.

Kjo sipas tij vjen nga përvoja e BE-së me Kroacinë e Slloveninë.

“Kjo i bie që Kosova e Serbia në njërin prej anekseve por edhe në tekstin bazë të marrëveshjes ndërkombëtarisht obligative duhet të thuhet që brenda kësaj periudhe, 12 muaj apo 24 muaj do ta rregullojnë kufirin shtetëror”,shpjegoi ai.

Me këtë, ai përmend edhe presidentin serb, Vuçiq i cili javë më parë për herë të parë përmendi se Kosova e Serbia duhet t’i ketë kufijtë e rregulluar.

“Ne mendojmë se çështja e normalizimit, finalja e saj do të nënkuptojë njohjen e Kosovës nga Serbia”, ka thënë ai.

“Kjo do të shkruhet në mënyrë eksplicite, nuk ka marrëveshje obligative e cila nuk supozon se Kosova nuk do të jetë shtet anëtar i OKB-së”, përfundoi Shala.


Shala thotë se në Washington e Bruksel kishte rënë entuziazmi për pavarësi për Kosovën 

Në kohën kur po përgatitej krijimi i Ekipit të Unitetit, Blerim Shala kishte marrë një mesazh nga diplomati Phil Goldbergu, atëherë shef i zyrës amerikane.

“Ai më tha shumë qartë se nuk ka dilema në Washington e Bruksel që Kosova do të bëhet shtet i pavarur, por nuk ka shumë entuziazëm”, kujton Shala.

Ishte periudha kur si Shtetet e Bashkuara njëjtë edhe Evropa po përballej me kriza e ngjarje të vështira.

“Ne kur jemi çliruar në vitin 1999 Kosova ka qenë storia numër një në botë, në gjithë rruzullin tokësor. Ka pas probleme edhe atëherë por Kosova në një anë dhe Timori Lindor në anën tjetër kanë qenë dy skoriet më interesante dhe fushata e çlirimit të Kosovës ka qenë një fushatë tepër agresive jo vetëm ushtarake politike por edhe mediatike në perëndim”, ka thënë ai.