Deputetët të brengosur për prishjen e Shtëpive Muze të Jasharajve

Deputetët të brengosur për prishjen e Shtëpive Muze të Jasharajve

08 shkurt 2018 11:12

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, në seancën e Kuvendit ka ngritur çështjen e shtëpive muze të Jasharajve, ku ka kërkuar ndërmarrjen e masave për t’i shpëtuar ato.

Derisa, foli për miratimin e një amendamenti legjislaturën e kaluar që u nda buxheti për konservimin e atyre shtëpive.

“Amendamenti i miratuar në Kuvend do duhej t’i hapte rrugë konservimit dhe restaurimit të shtëpive muze në lagjen Jasharaj në Prekaz, por Agjencioni për mbrojtjen e Komplekseve Memoriale nuk bëri punën e duhur. Përkundër ndarjes së mjeteve financiare, kodit buxhetor për restaurimin dhe konservimin e shtëpive muze, puna nuk ka filluar as atëherë, as sot, e për më keq mjetet e planifikuara nuk u shpenzuan, ato u ridestinuan e disa nga to shkuan edhe në suficit”, tha Haxhiu.

deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj ka folur rreth kompleksit memorial Adem Jashari, sipas të cilit nëse nuk merren masa atëherë kullat e Jasharajve do të shemben.

“Në legjislaturën e kaluar ka kaluar Ligji për Kompleksin Memorail Adem Jashari, pastaj ka rënë Kuvendi dhe ky ligj është kthyer në pikën zero. Ka dy javë që kemi kërkuar që ky ligj të procedohet dhe të amendamentohet sa më shpejt dhe ta merr drejtimin e duhur dhe të zgjidhet sa më shpejt ky problem. Edhe një fakt, nuk po dua të hyj në detaje por është e vërtetë që ka pasur fonde të ndara për kompleksin memorial tash e sa vite. Ka pasur një projekt nga një arkitekt Perparim Rama, e që ka mbetur në sirtar e që nuk dihet ku ka mbetur”, theksoi Haradinaj.

Seanca po vazhdon me diskutime për pikat tjera.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme