Arbëri

Tahiri: Dualizmi i Serbisë në zbatim, po e zgjat procesin e normalizimit

Descriptive Text

Bruksel, 23 mars - Delegacioni i Republikës së Kosovës i udhëhequr nga ministrja për Dialog, Edita Tahiri, mori pjesë në takimin e parë të Grupit të veçantë për normalizim në kuadër të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, që u mbajt dje në Bruksel.

Në këtë takim që u bashkëkryesua nga ministrja për Dialog, Edita Tahiri dhe përfaqësuesi i Bashkimit Evropian, Thomas Busch, u diskutua rreth progresit dhe sfidave të dialogut të Brukselit për periudhën gjashtë vjeçare ku të dyja palët paraqitën vlerësimet e tyre rreth procesit të normalizimit e marrëdhënieve mes dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë. Ishte qëndrim i përbashkët se dialogu i Brukselit ka dhënë rezultate mjaft të mira me një angazhim të madh të tre palëve dhe porse u theksuan edhe sfidat në këtë proces në lidhje me marrëveshjet që janë në pritje të zbatimit.

Në vijim gjeni fjalimin e plotë të ministres Edita Tahiri:

Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit e nënshkruar në mes të Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës, përmbush pjesën e parë të vizionit tonë evropian, tha Tahiri në këtë takim. E konsiderojmë atë një marrëveshje historike pasi ajo përcakton një proces të qartë dhe zyrtar të integrimit të vendit tonë drejt Bashkimit Evropian.

Ne jemi plotësisht të vetëdijshëm për këtë rrugëtim sfidues, dhe jemi të përkushtuar që të realizojmë më tej reformat evropiane në mënyrë të përgjegjshme dhe efektive. Vizioni ynë është integrimi i plotë i Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në strukturat euro-atlantike, si një nga prioritetet kryesore strategjike të politikës sonë të jashtme.

Në këtë drejtim, Republika e Kosovës është dëshmuar të jetë një faktor i besueshëm në ndërtimin e paqes dhe stabilitetit në rajon përmes bashkëpunimit rajonal dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore. Kemi vepruar kështu sepse ne shikojmë te ardhmëria, duke mos e harruar të kaluarën tragjike të luftërave dhe vështirësive por duke mos lejuar që të jetë barrierë për ardhmërinë tonë.

Kjo është arsyeja pse Kosova është angazhuar në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE-ja me shtetin fqinj Serbinë. Ne besojmë fuqishëm se është i mundur ndërtimi i një kapitulli të marrëdhënieve paqësore të fqinjësisë ndërmjet dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, dhe se dialogu gjashtëvjeçar në Bruksel ka shtuar rrugën drejt këtij qëllimi. Konsiderojmë se marrëdhëniet e qëndrueshme paqësore do të arrihen atëherë kur arrihet njohja e ndërsjellë në mes të dy shteteve, sa më shpejt aq më mirë. Ky do të jetë një kontribut i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin afatgjatë në rajon dhe në Evropë, sepse paqja në Ballkan është paqe në Evropë. Kjo gjithashtu do të ndihmojë në përshpejtimin e integrimit evropian të Kosovës dhe të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, me ç`rast ne presim që edhe BE-ja të përshpejtojë zgjatjen e një dore më të fuqishme ndaj nesh, vendeve aspiruese.

Qeveria e Republikës së Kosovës i jep rëndësi të madhe dialogut të lehtësuar nga BE-ja për shkak të qëllimeve të përmendura më lartë. Gjatë këtyre gjashtë viteve dialogu i Brukselit ka prodhuar rezultate të rëndësishme. Ai ka kontribuar në normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore në mes të dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, në forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe avancimin e rrugës së Kosovës drejt integrimit evropian.

Po kaq i rëndësishëm është fakti se dialogu i Brukselit ka ndihmuar normalizimin e situatës në pjesën veriore të vendit tonë. Kosova ka arritur të konsolidoj sovranitetin e saj në këtë pjesë të vendit në shumë fusha, duke reintegruar gjithnjë e më shumë komunitetin serb, duke i dhënë fund ndërhyrjeve të Serbisë në Kosovë dhe duke i larguar strukturat e saj paralele në Kosovë në fushat ku janë arritur marrëveshjet.

Qeveria e Kosovës konsideron se dialogu ka sjellë arritje të konsiderueshme duke pasur parasysh se marrëveshje të shumta janë arritur dhe zbatuar nga dyja shtetet që nga viti 2011, kur edhe ka filluar ky dialog. Pa asnjë dyshim, faktori kyç për këtë sukses është përfshirja dhe ndërmjetësimi i Bashkimit Evropian, në veçanti, Shërbimi Evropian për Veprim të Jashtëm, si dhe mbështetja e vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara, Gjermania dhe të gjitha vendet e tjera anëtare të BE-së.

Qeveria e Kosovës ka qenë dhe mbetet një palë konstruktive dhe serioze në dialog. Ne kemi bërë të gjitha përpjekjet e mundshme në arritjen e marrëveshjeve dhe kemi qenë konsekuent në zbatimin e marrëveshjeve. Parimi kryesor që na ka udhëhequr drejt arritjes së marrëveshjeve është bindja jonë se dialogu është ai që mund të ndihmoj në transformimin e marrëdhënieve armiqësore në marrëdhënie paqësore fqinjësore.

Arritjet e dialogut shquhen sidomos në fushën e lirisë së lëvizjes, tregtisë së lirë, menaxhimit të integruar të kufirit mes dy shteteve, policisë, bashkëpunimit rajonal, marrjes së kodit shtetëror telefonik për Kosovën, zyrave ndërlidhëse në mes dy shteteve, shpërbërjes së “mbrojtjes civile”, etj.

Konstatojmë me shqetësim se procesi i zbatimit të marrëveshjeve të arritura nuk ka përfunduar ende në disa fusha të rëndësishme, ndërsa afatet e parashikuara në planet e veprimit kanë skaduar. Konsiderojmë se vonesat, shmangiet apo shkeljet në procesin e zbatimit janë rezultat i mungesës se vullnetit politik nga ana e Serbisë për të zbatuar atë që është rënë dakord.

Fenomeni më shqetësues është dualizmi i Serbisë në zbatim, që tregon se në njërën anë Serbia zbaton marrëveshjet ndërsa në anën tjetër vazhdon mbështetjen e saj për strukturat paralele në Kosovë.

Periudha e fundit është karakterizuar me suksese të caktuara në marrëveshjet të cilat kishin ngecur për një kohë të gjatë siç është kodi shtetëror për Kosovën, që tani është implementuar dhe sot Kosova ka kodin e saj telefonik 383 të ndarë nga ITU, largimi i barrikadës nga ura e Ibrit në Mitrovicë, që është realizuar pas shumë vitesh që nga përfundimi i luftës. Megjithatë, marrëveshjet për energjinë, drejtësinë dhe asociacionin ende mbeten në pritje të implementimit. Përshpejtimi i procesit do të jetë i mundshëm vetëm përmes ripërtëritjes së zotimeve nga të dyja shtetet.

Mirëpo, periudha e fundit ka qenë po ashtu e ngarkuar me disa zhvillime të rrezikshme të nxitura nga Serbia, me ç`rast u krijua përshtypja se dialogu po dilte nga binaret dhe po kthehej mentaliteti i vjetër. Mund të keni vërejtur këto zhvillime siç është ndërtimi i një muri të çuditshëm në Mitrovicë, një treni të çuditshëm që mundohej të hyj në Kosovë, fletëarresteve arbitrare si pasojë e të cilave ish-kryeministri dhe komandanti i UÇK-së, Ramush Haradinaj, po përballet me drejtësinë në Francë, pastaj disa sulme me bombë kundër implementimit të marrëveshjes për vendosjen e zyrave të Qeverisë së Kosovës në veri ku janë punësuar qytetarë të komunitetit serbë të Kosovës, ish pjesëtarë të strukturës së shuar “mbrojtjes civile”, në pozitat e shërbyesve civile. Qeveria e Kosovës u është përgjigjur këtyre sfidave me vendosmëri dhe maturi, ka mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e Kosovës, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar, BE-në dhe SHBA-të, duke e stabilizuar situatën.

Konsiderojmë se këto zhvillime negative të shkaktuara nga Serbia shkojnë përtej skenarëve të thjeshta, pasi që duket të jenë pjesë e lojërave të rrezikshme gjeopolitike nga vendet jo perëndimore të cilat kanë nostalgji për humbjen e ndikimit në rajon pas përfundimit të luftës së ftohët. Në këtë kontekst, Kosova dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, kohëve të fundit janë të rrezikuar nga ambiciet gjeopolitike të Rusisë, që është një çështje shqetësuese për vendet e rajonit, dhe duhet të jetë shqetësuese edhe për BE-në dhe bashkësinë Euro-Atlantike. Ne kemi bërë luftërat tona për pavarësi, kemi mposhtur komunizmin e ndikimet ruse në rajon, ndërsa kemi zgjedhur të ardhmen Euro-Atlantike. Prandaj i bëjmë thirrje partnerëve tanë Euroatlantik që në mënyrë më të fuqishme dhe më të qartë të shprehin mbështetjen e tyre ndaj nesh, vendeve të Ballkanit perëndimor. Kjo për shkak se fuqitë tona si shtete relativisht të reja nuk janë të mjaftueshme për t'i bërë ballë lojërave të rrezikshme aktuale gjeopolitike.

Qeveria e Kosovës i njeh zhvillimet inkurajuese në procesin e implementimit gjatë kësaj periudhe gjashtë vjeçare, dhe bënë thirrje për progres të mëtejmë në të ardhmen. Duam të theksojmë se për një proces efektiv të implementimit, BE-ja mbetet një faktor i rëndësishëm për përshpejtimin dhe sigurimin e vazhdimësisë në implementimin e marrëveshjeve të Brukselit.

Në fund, dua të falënderoj Bashkimin Evropian për punën e jashtëzakonshme në lehtësimin e dialogut për paqe dhe marrëdhënie të mira fqinjësore mes dy shteteve. Gjithashtu, dua të falënderoj Përfaqësuesen e Lartë të BE-së Znj. Mogherini dhe gjithë ekipin e ndërmjetësuesve. Dua të falënderoj edhe ekipin tim, koordinatorët dhe ekspertët të cilët kanë qenë të angazhuar në negociatat e Brukselit, dhe të cilët së bashku me mua si kryenegociatore e Kosovës, për më shumë se gjashtë vite kanë punuar me dije dhe durim të jashtëzakonshëm gjatë ditëve dhe netëve të zgjatura në këtë proces, duke shprehur gatishmërinë që të bëjmë edhe më shumë, tha ministrja për Dialog, Edita Tahiri, në takimin e parë të MSA-së Grupi i Veçantë për normalizim në Bruksel

{gallery}