Krerët e vendit shkelin Ligjin, Kosova që nga e marta pa udhëheqës shtetërorë

06 shkurt 2018 23:27

Pasi e ka marrë vizën amerikane si rezultat i tërheqjes nga ideja e zhbërjes së Speciales, kryeministri Ramush Haradinaj, udhëton për në SHBA për pjesëmarrje në Lutjet e Mëngjesit. Për atje, pas po zmbrapsjes është nisur edhe presidenti Hashim Thaçi, raporton KTV.

Zyra e tij ka thënë se pos ceremonisë, Thaçi do të zhvillojë edhe takime të ndryshme me zyrtarë të lartë amerikanë.

Në Washington tashmë gjenden dy deputetët Blerta Deliu Kodra e PDK-së e Armend Zemaj i LDK-së, bashkë me ministrin e Inovacionit, Besim Beqaj.

Të tre këta kane zhvilluar një takim në Senat me përfaqësues të lartë të Senatit dhe të shteteve nga Evropa Juglindore, në të cilin u diskutua lidhur me sfidat e shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe thellimin e bashkëpunimit me Senatin.

E nga e marta, Kosova do të mbetet pa udhëheqës shtetërorë, pasi që kryeparlamentari Kadri Veseli, është nisur për në Kroaci për vizitë zyrtare.

Në këtë mënyrë, e kanë shkelur Ligjin mbi Protokollin e Shtetit. Kjo pasi që ligji për protokollin e shtetit parasheh që krerët e shtetit nuk duhet të jenë jashtë vendit në të njëjtën kohë.

“Protokolli i Shtetit vihet në dijeni paraprakisht për çdo lëvizje të personaliteteve kryesore, Presidentit, Kryetarit të Kuvendit dhe Kryeministrit jashtë shtetit. Vizitat bashkërendohen në mënyrë që të mos jenë të tre njëkohësisht jashtë vendit”, thuhet në Ligjin për Protokollin e Shtetit.

Kjo do të thotë se në rast të ndonjë ngjarjeje të jashtëzakonshme në Kosovë, askush nuk do të jetë në gjendje të japë ndonjë urdhër, pasi kështu parashikohet me ligj. Kjo nuk është hera e parë që Presidenti, kryeministri e Kryetari i Kuvendit, shkelin këtë ligj.

Kështu kanë vepruar edhe me rastin e ceremonisë së shenjtërimit të Nënë Terezës në Vatikan, vitin e kaluar.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

ROni07/02/2018 09:53

Shtet qe udhehiqet prej katunareve me mentalitet te odave primitive....

Shto koment

Të ngjashme