Arbëri

Pos për keqpërdorime, Bekim Jashari e akuzon edhe për diçka tjetër Sami Lushtakun

Kuvendi Komunal i Skenderajt ndërpreu seancën në mungesë kuorumi, e kjo nxiti kryetarin Bekim Jashari që të lëshojë akuza ndaj këshilltarëve që munguan dhe paraardhësit të tij, Sami Lushtaku, transmeton Koha.net.

Jashari tha se të gjithë po tentojnë ta bllokojnë punën e tij, derisa duke folur për keqpërdorime, u ndal edhe te një rast, ku e përfshinte ish-kryetarin Lushtaku.

Kjo nuk ishte e tëra.

Jashari tha se nuk befasohet me Sami Lushtakun, për të cilin tha se ia kishte braktisur babanë dhe mixhën në vitet 90.

Në anën tjetër, Sami Lushtaku, tani kryetar i Degës së PDK-së në këtë komunë, e ka porositur Jasharin që të merret me punët e komunës.

“I ri ka qenë Bekimi atëherë, nuk i di disa gjëra,” ka thënë Lushtaku për Kosovapress, duke shtuar se nëse ka fakte për keqpërdorime, t’i dorëzojë ato në prokurori.

Pas deklaratave të Jasharit, dega e Vetëvendosjes në Skenderaj tha se kjo u bë për arsye të ndryshimit të pikës së rendit të ditës nga informatat për parkun e biznesit në “propozim vendim” për këtë çështje.

Në reagimin e tyre, ata kërkojnë transparencë dhe sqarime të hollësishme për projektin, që për ta është tashmë i dyshimtë.