Arbëri

Hoxha: BE-ja të ketë gjuhë të qartë për Kosovën, jo të flitet me një fjali për të

Ministrja për Integrime Evropiane, Dhurata Hoxha, në “Express Intervistën” e KTV-së, ka folur për Strategjinë e Bashkimit Evropian për zgjerimin e Unionit në vendet e Ballkanit Perëndimor. Në këtë strategji është përmendur edhe Kosova.

Hoxha ka thënë se BE-ja duhet të ketë gjuhë të qartë për Kosovën dhe për të të mos flitet me gjuhë të përgjithësuar.

“Tani Kosova nuk është e përfshirë vetëm me një fjali. Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë perspektivë në BE”, ka thënë ministrja Hoxha, e cila ka bërë thirrje që Kosova të vazhdojë të përmbushë kriteret drejt integrimit evropian.

“Kosova është vendi i fundit që e ka nënshkruar MSA-në, është arritje e madhe nënshkrimi i saj, me të cilën kemi hyrë në obligime të ndryshme. Nuk jemi të kënaqur sepse duhet të bëjmë më shumë. Jemi vendi i fundit në këtë proces. Kur Mali i zi dhe Serbia nuk janë përmendur fare në strategji, Maqedonia ka qenë. Rrugëtimi është individual, sa më shpejt që i bëjmë reformat, aq më shpejt arrihet integrimi”, ka theksuar Hoxha në “Express Intervistën” e KTV-së.

“Kemi mundur të bëjmë më tepër, por rrethanat politike, gjatë vitit 2017 Kuvendi nuk ka punuar aq shumë. Viti 2018 duhet të zëmë hapin dhe të bëjmë reformat drejt BE-së”, ka shtuar ajo.

Hoxha ka folur edhe procesin e vetingut në gjyqësor, të cilit, sipas saj, Kosova nuk i frikësohet.

“Në vitin 2009 kemi pasur një veting të gjyqësorit. Ka qenë në bashkëpunim me EULEX-in. Mirëpo ka ardhur koha që ta bëjmë hapin e radhës që një herë e përgjithmonë ta pastrojmë edhe emrin e gjyqësorit. Kemi raste të veçanta dhe ka ardhur koha që të shkëputemi nga historia e gjyqësorit dhe prokurorisë”, ka thënë Hoxhaj, derisa ka shtuar se vetingu nuk duhet të ketë cak vetëm gjyqësorin dhe prokurorinë, por gjitha institucionet e Kosovës.

“Me sistem të mirëfilltë të vetingut, nuk do të duhej të targetonte vetëm gjyqësorin e prokurorisë, por të gjitha institucionet e Kosovës”, ka thënë veç të tjerash ajo.