Arbëri

Cilat porosi, sipas Surroit, po i jep BE-ja për Kosovën dhe udhëheqjen e saj

Publicisti e shkrimtari Veton Surroi, një ditë para bërjes publike të Strategjisë së BE-së për zgjerimin e Unionit te vendet e Ballkanit Perëndimor, në një postim të vetin në Facebook, ka theksuar tri gabimet më të mëdha të bëra nga udhëheqja e Kosovës gjatë kësaj dekade, transmeton Koha.net.

Këto gabime Surroi i ka parë në tri porositë që BE i paraqet në Strategjinë për zgjerim në Ballkanin Perëndimor. Në këtë Strategji Serbia e Mali i Zi janë të parat në pritje për anëtarësim, ndërsa Kosova as që përmendet në të.

Ky është postimi i plotë i Surroit:

“Tri porosi të rëndësishme të BE-së për Kosovën dhe udhëheqjen e saj

(Inspiruar nga Strategjia e BE-së që do të botohet nesër)

1. Falë udhëheqjes së vendit gjatë këtyre dhjetë vjetëve Kosova i ka ndihmuar Serbisë që të bëhet , nëse vazhdon me këtë ritëm, vend anëtar i BE-së më 2025.

2. Falë udhëheqjes së saj, Kosova bën pjesë në vende “që tregojnë elemente të qarta të shteteve ‘të kapura’, përfshirë lidhje me krimin e organizuar dhe korrupsionin në të gjitha nivelet e qeverisë dhe administratës, si dhe përzierje të fuqishme të interesave publikë dhe privatë”. Në këtë vend ekziston “ndërhyrje e gjerë politike në media dhe kontroll mbi to”

3. Dhe, rrjedhimisht, falë udhëheqjes së saj , Kosova ka mundësi të bëjë përparim të qëndrueshëm , aq sa ka mundur të bëjë më 2003 në Samitin e Selanikut , pra kapaku i përcaktimin të ardhmërisë lidhet “me zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe të avancojë në rrugën e saj evropiane kur të lejojnë rrethanat objektive”.