Arbëri

Vulin kërkon nga Mali i Zi të mos dërgojë oficerë në Kosovë “pa e pyetur Serbinë”

Descriptive Text

Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, ka kërkuar sot nga Mali i Zi që të mos dërgojë oficerë në Kosovë sepse për këtë nuk është pyetur Serbia, dhe se me këtë do të përkeqësojë raportet me të, sikurse edhe stabilitetin në Ballkan.

Këshilli për Mbrojtje e Siguri i Malit të Zi ka miratuar propozimin për Vendimin e pjesëmarrjes së pjesëtarëve të Armatës së Malit të Zi në misionin e KFOR-it në Kosovë. Parashihet përfshirja e dy oficerëve të shtabit, nga të cilët njëri do të jetë në Komandën e Misionit në Prishtinë dhe tjetri në Komandën Rajonale të Misionit në Shkup, raporto agjencia serbe e lajmeve “Beta”.

Duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve për këtë temë, Vulin tha: “Kërkoj shumë përzemërsisht nga Mali i Zi dhe ministria malazeze e Mbrojtjes që ta mendojnë edhe njëherë dhe të mos dërgojnë ushtrinë në Kosovë e Metohi”, transmeton Koha.net.

Vulin shtoi se “autoritetet në Mal të Zi e dinë shumë mirë që Kosova dhe Metohia janë pjesë e shtetit të Serbisë sipas rezolutës 1244 të OKB-së dhe ua rikujtoj se gjatë kohës së agresionit të NATO-s kanë qenë pjesë e po të njëjtit shtet dhe se janë vrarë edhe shtetas malazez nga ana e po të njëjtit agresor”.

“Lus sinqerisht (autoritetet në Mal të Zi) që të mos i dërgojnë ata (oficerët në Kosovë), që të mos ndërmarrin veprime të tilla, e të mos e pyesin Republikën e Serbisë, sepse nëse do ta bënin një gjë të tillë (dërgimin e oficerëve), sigurisht se nuk do t’i ndihmonin dialogut (Serbi-Kosovë), sigurisht se nuk do të ndihmojnë në stabilizimin e rajonit tonë, e sigurisht se nuk do të ndihmojnë në përmirësimin e raporteve (të Malit të Zi) me shtetin e Serbisë”, theksoi Vulin, transmeton Koha.net.

Analisti politik, Aleksandar Radiq, mbrëmë në televizionin e Malit të Zi, ka thënë se pjesëmarrja e oficerëve malazezë në misionin e KFOR-it në Kosovë nuk do të paraqitse problem në raportet mes Malit të Zi dhe Serbisë sepse misioni i KFOR-it është “faktori i vetëm real i sigurisë dhe stabilitetit”.