Arbëri

Kuvendi gati për t’i dhënë një epilog demarkacionit

Njëra ndër çështjet më të përfolura të kohëve të fundit në Kosovë mund të marrë shpejt një epilog. Kryesia e Kuvendit të Kosovës mblidhet të hënën e 5 shkurtit, dhe në pikën e gjashtë të rendit të ditës e ka paraparë edhe shqyrtimin e Marrëveshjes së Demarkacionit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

Duhet siguruar 80 vota në Kuvendin e Kosovës për ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit, që BE-ja e kishte vënë kusht për lëvizjen e lirë të kosovarëve. Ratifikimi i mundshëm i kësaj marrëveshjeje do të hidhte “topin” në fushën e Bashkimit Evropian për të nisë procedura e heqjes së vizave për qytetarët e Kosovës.

Kundër kësaj marrëveshje mbetet Lëvizja Vetëvendosje, përderisa AAK dhe Nisma, të cilat po ashtu ishin kundër, nuk dihet nëse kanë ndryshuar qëndrimet e tyre.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, në një prononcim për Koha.net, ka thënë se vazhdojnë të jenë kundër marrëveshjes për demarkacion. Ka shtuar se si Lëvizje presin nga kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, që ditën e hënë të kërkojë edhe nga deputetët tjerë që të mos e përkrahin këtë marrëveshje.

“Qëndrimi jonë në raport me marrëveshjen aktuale e cila është e dëmshme sepse i falë mbi 8200 ha është i qartë. Ne jemi kundër kësaj marrëveshje madje presim nga z.Haradinaj, që në seancën kur do të jetë kjo pikë e rendit të ditës, përmes foltores së Kuvendit, të kërkoj nga deputetët të mos e përkrahin atë marrëveshje. Tani kemi edhe një raport të përpiluar nga Komisioni i mandatuar nga z.Haradinaj, në krye me Shpejtim Bulliqin, raport i cili është shumë profesional i cili dëshmon që Kosova ka humbur territor. Marrëveshja e tillë nuk duhet në asnjë mënyrë të marrë përkrahjen e deputetëve të Kuvendit”, tha Haxhiu.

Ajo tha se tani numri i deputetëve që janë kundër kësaj marrëveshje është më i madh.

“Rrethanat në këtë legjislaturë janë të tjera nga ato që ishin në mandatin e kaluar. Tani numri i atyre që e kundërshtojnë këtë marrëveshje është shumë më i madh, përveç 32 deputetëve të grupit tonë parlamentar, kundër kësaj marrëveshje vazhdojnë të jenë Nisma dhe AAK andaj nuk besoj që kemi nevojë për metodat e legjislaturës së kaluar sepse jemi në rrethana më të favorshme”, tha tutje Haxhiu për Koha.net.

Ndërkaq Avdullah Hoti ka thënë se qëndrimi i LDK-së, mbetet i pandryshuar dhe do ta votojnë demarkacionin.

“Qëndrimi është i pandryshuar. Kjo marrëveshje është dashur të kryhet para dy vite. U bë kauzë e rrejshme politike dhe qytetarët mbeten të izoluar. Tash po detyrohen ta sjellin të njëjtën. Duhet t'i kërkojnë falje secilit qytetar”, ka thënë Hoti.

Mbrëmë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në “Rubikon” të KTV-së, tha se vizita e kryeministrit malazez mund të japë një përgjigje për demarkacionin.

“Nuk është që mund t’i jap krejt përgjigjet, mund të jap përgjigje por jo krejt. Jo që do të komunikohet atë ditë por tema do të avancojë sepse do të diskutohet me siguri”, theksoi Haradinaj.

Kujtojmë se edhe Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, ditë më parë ka thënë se shumë shpejt do t’i japin zgjidhje demarkacionit me Malin e Zi, sipas tij, ky si kushti i vetëm për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

“Ne duhet t’i kryejmë detyrat tona, demarkacioni do të marrë epilogun e tij shumë shpejt nga Kuvendi i Kosovës. Është Kuvendi që vendos për demarkacionin dhe besoj se do ta marrë epilogun dhe pastaj ne do të vazhdojmë t’i kryejmë detyrat tona sipas agjendës që kemi. E rëndësishme është që ne do t’i japim epilog ose përgjigje këtij demarkacioni, besoj Parlamenti i Kosovës do ta thotë fjalën e vet”, ka thënë Limaj.

Edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dje në konferencën për media për dhjetëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës, ka bërë thirrje që institucionet e Kosovës ta përmbushin kushtin e fundit për liberalizimi vizash – demarkacionin me Malin e Zi.

“Kosova do të përballet me sfida tjera tash kur kemi momentumin për liberalizimin e vizave. Në të ardhmen do t’i kryejmë obligimet tona për të ndodhur liberalizimi i vizave. Kosovës i duhet qartësia. Në qartësinë e BE-së, do t’i ndihmojë vendimmarrja e institucioneve të Kosovës gjatë ditëve dhe javëve të ardhshme. Të prodhojmë argumente që të lehtësohet liberalizimi i vizave”, ka thënë Thaçi.

Ndërkaq, sot kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli tha se janë duke punuar intensivisht që ta tejkalojnë sa më shpejt edhe ratifikimin e demarkacionit, por tha se Kosovës i duhet një konsensus për këtë.

Kujtojmë se në një intervistë në “Interaktiv” të KTV-së, Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, pati thënë se në rast se demarkacioni nuk miratohet në Kuvend gjatë muajit janar të këtij viti, atëherë viza nuk do të ketë as në vitin 2019.

“Është koha e fundit që në janar të votohet marrëveshja e demarkacionit, me qëllim që kur të mbahet Këshilli Europian ne ta kemi liberalizimin e vizave. Nëse nuk votohet në janar, atëherë jo vetëm në vitin 2018 por edhe në vitin 2019 ne nuk do të kemi viza”, ka thënë Hoxhaj.

Aktualisht, Kosovës, sipas zyrtarëve të Bashkimit Evropian, i kanë mbetur edhe dy kriteret e fundit për të arritur deri të procesi i liberalizimit të vizave. Pra, ratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi dhe luftimi i korrupsionit.

Koha.net sot gjatë ditës ka provuar të kontaktojë me deputetë të ndryshëm nga AAK, Nisma e PDK për të parë qëndrimet e tyre rreth demarkacionit, por asnjë nuk ka qenë i qasshëm.