Arbëri

Lumezi i akuzuar se falsifikoi jurisprudencën, emërohet në krye të Komisionit për këtë provim

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, është emëruar në krye të Komisionit për Provimin e Jurisprudencës.

Vendimi për emërimin e Lumezit u mor sot nga Qeveria e Kosovës, raporton Kallxo. com.

Lumezi do të jetë në krye të një komisioni në të cilin bëjnë pjesë edhe katër anëtarë të tjerë.

Procesi i emërimit të Lumezit në këtë pozitë ka qenë i bllokuar për shkak të dyshimeve të ngritura për falsifikim të provimit të jurisprudencës.

Ekipi i KohaVisionit bashkë me ekipin e “Betimi për Drejtësi” patën hulumtuar nga afër dosjen e Lumezit në Arkivin e Kosovës.

Emri i Lumezit është shkruar në tri variante në tri dokumente të ndryshme. Ndërsa, nën efektin e dritës vërehet qartë se nën emrin e Lumezit figuron një tjetër emër, ai i Zymer Krasniqit nga Deçani.

Zymer Krasniqi nga Deçani është emri mbi të cilin është shënuar emri i Lumezit në këtë libër, numri i të cilit përputhet edhe me dosjen e provimit të dhënë nga Lumezi në prillin e vitit 1991.

Në këto tri dokumente emri i Lumezit është shënuar në tri forma të ndryshme. Në dosje është me alfabet latin, në librin e paraqitjes së provimit mbiemri Lumezi është Llumezi, sipas alfabetit cirilik, derisa në librin amzë mbiemri është Ljumezi.

Një detaj tjetër është ai se vetëm tek emri i kryeprokurorit mungon vendlindja, derisa prapa ngjyrës së bardhë vërehet qartë emri i qytetit “Deçan”, që është i shkruar në cirilikë.

Nën efektin e dritës vërehet edhe emri Zymer Krasniqi

Në Arkivin e Shtetit nuk kanë asnjë procesverbal se si arritën libra aty dhe se cila është arsyeja që vetëm librat mbi dhënien e provimit të jurisprudencës nuk janë origjinalë, por janë kopje.

Në fillim, stafi ia arkivit i ka prezantuar ekipit të KTV-së si procesverbal këtë dokument, por që në fakt, pas përkthimit, doli të jetë procesverbal për librat amzë të Sekretariatit krahinor për komunikacion dhe lidhje.

Ruzhdi Panxha, drejtor për Veprimtari arkivore, tash thotë se këta libra ka gjasë të jenë sjellë në Arkivin e Shtetit, gjatë periudhës së pasluftës në vitin 1999-2000 dhe deri në vitin 2004 nuk është marrë askush me ta.

Dyshimet se Kryeprokurori i Shtetit e ka falsifikuar provimin e Jurisprudencës i ngriti ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, i cili thotë se i nisi hulumtimet kur i pa tendencat e pushtetit për ta persekutuar atë.

Ai akuzon kryeprokurorin se punon për të paktën 4 politikanë, në mesin e të cilëve është presidenti Thaçi e ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli.

Vetë kryeprokurori, Aleksandër Lumezi, nuk u është përgjigjur thirrjeve të KTV-së për një intervistë rreth kësaj çështjeje.