Arbëri

Vuçiq për normalizim me Kosovën dhe kundër konfliktit të ngrirë

Foto: Koha

Beograd, 1 shkurt - Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi sot se ka modele të ndryshme të marrëveshjes detyruese për normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit e Prishtinës, por, ka shtuar ai, ky dokument është shikim në të ardhmen që duhet të zgjidhë problemet aktuale, raporton agjencia e lajmeve e Beogradit, Beta, transmeton Koha.net.

“Ka shumë modele të ndryshme, unë jam ithtar i asaj që të mos i ikim zgjidhjes dhe të mos ruajmë konflikte të ngrira, unë mbroj qëndrimin që të mos kemi probleme dhe që problemet tona të mos ua lëmë fëmijëve; e di se këtë askush nuk dëshiron ta dëgjojë, por ky është shikim nga e ardhmja dhe qasje e përgjegjshme”, ka thënë Vuçiq para gazetarëve në Beograd.

Sipas fjalëve të tij, disa vende propozojnë modelin e dy Gjermanive, disa të tjera konsiderojnë se Serbia e Kosova duhet të zgjidhin problemet midis tyre para nënshkrimit të marrëveshjes.

“Për tango duhen dy, është e nevojshme që edhe të tjerët të kuptojnë se duhet të bëjnë kompromis dhe jo vetëm Serbia, se që të ketë marrëveshje të dy palët duhet të jenë njësoj të pakënaqur, ose së paku nga pak të kënaqura”, është shprehur ai, transmeton Koha.net.

I pyetur se cilat janë pritjet reale, Vuçiq është përgjigjur se do të jetë sukses nëse arrihet marrëveshja.

“Nëse nuk arrihet marrëveshja, do të jetë humbje e edhe më e gjatë kohe për Serbinë e serbët”, ka vlerësuar Vuçiq.

Vuçiq ka thënë po ashtu se kundërshtimi i Spanjës për integrimet e mëtejshme të Kosovës “paraqesin mesazh të shkëlqyeshëm të popullit spanjoll” dhe ka bërë të ditur se mbreti i Spanjës, Filipe, do të vizitojë Serbinë.

Duke folur për vizitën në Kosovë, kur në Llaple Sello bisedoi me qytetarët, ka thënë se brenda shtatë ditësh do të jetë e gatshme analiza e atyre që janë premtuar dhe e realizuar.