Arbëri

Kuvendi pritet të adresojë masat kundër ndotjes

Në Kuvendin e Kosovës po diskutohet lidhur me ndotjen alarmante të ajrit në Prishtinë.

Deputetët kanë kritikuar qeverisjet e deritanishme në Kosovë të cilat nuk janë marrë me parandalimin e gjendjes të cilësisë së ajrit, por sipas tyre, janë marrë vetëm atëherë kur gjendja është bërë alarmante.

Ata kanë kërkuar që të identifikohen burimet e ndotjes së ajrit në Kosovë, duke u sugjeruar institucioneve kompetente të bëjnë një hulumtim shkencor dhe të dihet saktë përqindja e ndotjes që vjen nga termocentralet, thëngjilli si dhe veturat e shumta që janë rreth 380 mijë.

Deputetja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kryetare e partisë Alternativa, Mimoza Kusari - Lila ka theksuar se organet kompetente që duhet të merren me parandalimin e ndotjes së ajrit, jo rrallë janë pjesë përbërëse e shkaktimit të problemeve.

“Parlamenti ndotet në hapësirat e përbashkëta çdo ditë nga pirja e jashtëligjshme e duhanit. Neve na ka humbur kredibilteti të flasim për ajrin e pastër, derisa rrimë në një hapësirë të kontaminuar, ku edhe në zyret në Kuvendin e Kosovë, jo rrallë herë thyhet Ligji i duhanit”.

“Sot në ekzekutiv pa pasur nevojë të kemi seancë të jashtëzakonshme janë një mori masash që mund të ndërmerren drejtpërdrejt dhe të bëjnë parandalimin dhe të fillojë pastrimi dhe mbajtja në rregull e ajrit. Prishtina renditet si njëra nga vendet më të ndotura edhe pse është larg prej të qenit vend industrial”, ka thënë Kusari - Lila.

Deputeti, Fatmir Xhelili nga Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se kjo sencë duhet të jetë sensibilizim dhe të ndikojë që çdo punëtorë, zyrtarë dhe anëtarë të mekanizmave përgjegjës për zbatimin e mekanizmave të mbrojtjes së ambientit.

“Shteti nuk duhet të kursej mjete financiare për të marrë masa adekuate për përmirësim të ajrit të ndotjes. Nuk duhet të kursejmë 50 milionë euro për të marrë pjesë në projektin e Komisionit Evropian për ndërrimin e filtrave të KEK-ut, ka thënë Xhelili, duke shtuar se me këto mjete do të shmangen pasojat shëndetësore të qytetarëve.

Gjatë diskutimeve, deputetët kanë konsideruar se gjendja aktuale e cilësisë së ajrit është mjaft shqetësuese jo vetëm në Prishtinë, por edhe në regjione të tjera të Kosovës.