Arbëri

PDK kërkon masa afatgjata për përmirësimin e ajrit

Deputetja Evgjeni Thaçi-Dragusha, në emër të PDK-së, ka kërkuar hartimin e politikave afatgjate për mbrojtjen e ambientit, ndërsa energjia alternative të përkrahet në mënyrë që të dalim nga varësia e energjisë nga termocentralet.

Ajo në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, tha se janë “tragjike” deklarimet e udhëheqësve komunalë që të mos bazohen në matësin e Ambasadës amerikane në Prishtinë për ndotjen e ajrit, pasi është më afër termocentraleve të Obiliqit, transmeton kp.

“Masat e përkohshme janë të domosdoshme njëjtë si edhe ato afatgjata. Duhet të hartohen politika afatgjata shtesë të cilat e mbrojnë ambientin dhe të kujdesemi që ato të zbatohen. Duhet të fillohet me vetëdijësimin e qytetarëve, sidomos të gjeneratave të reja rreth ruajtjes së ambientit. Duhet të mendojmë për neutralizimin e ndotësve, të pyesim se në këtë moment a na bie më mirë të prodhojmë energji apo ta blejmë atë. Ndërsa, energjia alternative të përkrahet në mënyrë që të dalim nga varësia e energjisë nga termocentralet. Duhet të mendojmë se si ta zhvillojmë dhe modernizojmë trafikun urban, të krijojmë parkingje publike, me një fjalë t’i mbajmë premtimet elektorale”, tha ajo.