Arbëri

Gaxherri e quan skandaloz vendimin për ndalimin e veturave

Deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri, ka kritikuar ashpër vendimin e Komunës së Prishtinës dhe Ministrisë së Mjedisit për ndalimin e qarkullimit të veturave në kryeqytet si pjesë e masave për ndalimin e ndotjes së ajrit, duke thënë se një vendim i tillë vetëm sa ua vështirëson jetën qytetarëve të pafajshëm.

Ajo në debatin e sotëm të Kuvendit të Kosovës, ku po debatohet për ndotjen e ajrit në Prishtinë, ka thënë se deri më tash nuk ka fakte shkencore se cilët janë shkaktarët e vërtetë të ndotjes së ajri.

“Në vend se të merren masa në kontrollin e cilësisë së karburantit, në kontrollin teknik të automjeteve, homologimin, i cili Kosova është i vetmi shtet në rajon që ka monopol të homologimit të automjeteve e që të gjitha këto e bëjnë që krimi i organizuar mes doganës, agjencive të sigurimeve, sigurimit të veturave e homologimit funksionon. Në vend se të luftohet ky krim i organizuar në masat dhe instrumentet ligjore, ju merrni masat e vetme që i atakojnë qytetarët e pafajshëm dhe ua vështirësoni jetën edhe ashtu të vështirë që e kanë...Propozimi i LDK-së është që ndotja nga KEK-u të sanohet duke respektuar ligjet dhe të vendoset elektrofiltrat e cilësisë së duhur dhe në afat kohor të duhur. Të evitohet tërësisht ndotja nga ngrohja nga materie të rrezikshme duke bërë shtrirjen e ngrohjes qendrore nga KEK-u për Prishtinën, Obiliqin, Fushë Kosovën, Podujevën dhe Lipjanin në afat prej dy viteve”, u shpreh ajo.