Arbëri

Pesë propozime të deputetit Sejdiu kundër ndotjes së ajrit

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Sejdiu, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, ka prezantuar pesë pikat që duhet ndërmarrë për përmirësimin e ajrit në Prishtinë.

Ai ka tërhequr vërejtjen se nëse nuk ndërmerren masa konkrete, atëherë ndotja e ajrit do të bëhet temë çdo vit.

“Propozimi i parë, sipas një studimi që është bërë me 24 milionë euro shtesë mund të dyfishohet projekti i kogjenerimit nga 140 megavat energji termike, në 280 megavat energji termike. Propozimi i dytë, në komunat ku kemi këtë cilësi të ajrit, duhet të shikohen me urgjencë që për politika për subvencionim të qytetarëve që nuk kanë gjendjen ekonomike materiale mirë, që t’iu ndihmojmë atyre që lëvizin nga ngrohja me thëngjill në ngrohje tjera të cilat nuk shkaktojnë ndotje të ajrit”, ka thënë ai.

Sejdiu tha se pika e tretë e propozimit ka të bëjë për një ndihmë direkte prej donatorëve që 28 shtetet anëtare të BE-së, nëse secili bën donacion prej dy autobusëve, të ketë një flotë të re prej 56 autobusëve që së bashku me flotën ekzistuese do të zgjidhte problemin e trafikut publik në Prishtinë, Obiliq dhe Fushë Kosovë.

“Propozimi i katërt, është i thjeshtë, qeveria së bashku me rregullatorët në këtë fushë të ecin sa më shpejt në pajisjen e investitorëve me dokumentacione që të fillojnë të ndërtojnë prodhimin e energjisë nga era. Propozimi i pestë, propozoj që qeveria bashkë me komunën e Prishtinës, Obiliqit, Fushë Kosovës dhe Mitrovicës me procedurë të prokurimit të përshpejtuar të bëjë furnizimin e këtyre komunave me këto pajisje dhe këto do të mund të zëvendësonin numrin e madh të billbordeve që kemi dhe në vend të tyre të vendosim mobileri urbane, këta filtrues të ajrit që zëvendësojnë 275 drurë”, tha ai.