Arbëri

Pacolli: Serbia po e sfidon Kosovën gjithandej

Zëvendëskryeministri, njëherësh ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka raportuar para Komisionit për Punë të Jashtme lidhur me gjendjen e shërbimit diplomatik.

Ai ka thënë se Serbia është duke sfiduar Kosovën sidomos në anëtarësim në organizata të ndryshme dhe për njohje, raporton "Koha Ditore".

Sa i përket mosraportimit më herët siç i është kërkuar nga Komisioni, Pacolli ka thënë se “nuk është e vërtetë që nuk kam dashur të vijë”, por për shkak të vizitave nuk ka pasur mundësi.

Ka folur për njohjet, duke e përmendur rinjohjen nga Guinea Bissau. Për Egjiptin ka thënë se nuk ka ndryshuar qëndrim lidhur me njohjen nga ana e tij.

Sa i përket gjendjes në shërbimin diplomatik, ai ka thënë se me të marrë mandatin e ka parë se në ditët e fundit të përfundimit të mandatit, Qeveria e kaluar ka punësuar 70 persona pa plotësuar kriteret dhe për ata e kanë anuluar këtë.

Vjosa Osmani e LDK-së, kryetare e Komisionit, ka thënë se gjatë amandamentimit të buxhetit, kemi kërkuar nga ministria juaj që të dimë nëse ka nevojë për rritje të buxhetit për të ndihmuar në lobim, por se nuk ka marr përgjigje.

Ka thënë se gjatë rishikimit mund ta bëjnë kërkesën në mënyrë që të ndihmohet konsolidimi i shtetësisë.

Dje zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj ka thënë se do të formohet një task-forcë lidhur me aplikimin në Këshillin e Evropës, ndërsa sot Pacolli thotë se ajo task-forcë ekziston dhe është bërë më herët.

Osmani e pyeti Pacollin se sa është numri i të emëruarve politikë në pozita udhëheqëse në shërbimet diplomatike, a është tejkaluar kuota prej 50 për qind dhe si do ta rregulloni këtë.

Kurse Visar Ymeri nga VV ka thënë se është raportuar se Pacolli i ka bërë ftesë Serbisë që veriu të bëhet zonë e lirë ekonomike. Kjo, sipas tij, tregon se Qeveria sovranitetin e vet e shtrinë vetëm deri në jug të Mitrovicës.

“A ka ndryshim të politikës së Qeverisë në raport me Rusinë apo janë qëndrime tua ato që po i thoni në intervista se jeni të interesuar të keni marrëdhënie të mira me Rusinë”, e ka pyetur Ymeri Pacollin.

Sa i përket dialogut me Serbinë, Ymeri ka thënë se dialogu duhet të ketë vija të kuqe dhe se në këtë drejtim duhet të kemi kujdes së çfarë po themi.

“Unë mendoj që në një koalicion që jeni ju ka parti që kanë qëndrime të ndryshme dhe se do të duhej që të diskutojnë dhe të keni qëndrime të njëjta e jo të diskutohet pafundësisht brenda Qeverisë. Kam parë se ka qëndrime të ndryshme sa i përket demarkacionit dhe kjo tregon se nuk ka bashkëpunim brenda jush dhe secili deklaron atë që ja merr mendja”, deklaroi Ymeri.

Ndërkaq, Pacolli ka thënë nuk i ka bërë kërkesë Serbisë për të formuar zonën ekonomike në veri, por që të gjejnë zgjidhje për të shtrirë rendin e ligjin edhe atje.

“Unë jam diplomat dhe duhet sa më pak të tregoj frustrim. Unë Vuçiqit i kam thënë në një mënyrë krejt ndryshe. Deri sa e dimë që në veri ka struktura ilegale dhe nuk funksionon rendi dhe ligji, unë i kam thanë hajde ta bëjnë punën e parë që ata t’i heqin forcat ilegale dhe ta shtrijmë forcën atje. Unë e di që do të jetë vështirë që t'i imponosh veriut diçka. E vetmja mënyrë është krijimi i veprimtarive ekonomike”, ka thënë Pacolli.

“Unë nuk kam kërkuar asnjëherë që ata të vijnë të krijojnë një zonën ekonomike në veri, por të punojmë diçka për Kosovën për atë pjesë”, u shpreh ai ndaj pyetjes së Ymerit.

Pacolli ka thënë se do t'i kthejnë 22 përfaqësues diplomatikë apo konsuj pasi, sipas tij, nuk duhet të kenë më shumë se një mandat atje.