Arbëri

AKB: Maqedonia dhe Serbia, në luftë për tregun e Kosovës

Një delegacion i Aleancës Kosovare të Bizneseve u prit në një takim në Ambasadën e Maqedonisë në Kosovë nga Shkëlqesia e tij, Ambasadori Ilija Strashevski, ku temë diskutimi ishte rritja e bashkëpunimit ekonomik në mes Kosovës dhe Maqedonisë.

Agim Shahini, kryetar i AKB-së, tha se Kosova është bërë një vend atraktiv për investime vendore dhe të huaja, por është edhe vend atraktiv për pasimin e produkteve të gatshme sidomos nga 1 janari 2018, që ka edhe lehtësira për investime me disa masa te reja fiskale.

“Kosova dhe Maqedonia kanë shumë gjëra të përbashkëta dhe kjo është një mundësi e mirë për investime të reja dhe iniciativa të përbashkëta si dy shtete në nisma për bashkëpunim ndërkufitar të mbështetura edhe nga Komisioni Evropian dhe ne duhet t’i shfrytëzojmë këto mundësi që ofrohen vetëm si dy tregje të përbashkëta”, tha Shahini.

Ai tha se shumë kompani maqedonase në Kosovë janë lidere në disa sektorë dhe kjo vlen të theksohet se janë të mirëseardhur të gjithë bizneset nga vendi i juaj, “por Maqedonia e ka humbur tregun nga viti 2011 e këndej kundrejt Serbisë që nga ajo kohë e cila prin me eksportet më të mëdha në Kosovë nga vendet e CEFTA-së”.

“Konkurrenca e ashpër që vjen nga Serbia i ka mposhtur produktet e bizneseve maqedonase, por edhe Maqedonia në heshtje sikur është pajtuar me një fakt të tillë më shumë i ka dhënë rëndësi reformave fiskale dhe investive në vend se sa kthimit të tregut ne Kosovë, për të cilën që nga viti 2014 e këndej ka filluar lehtë të rriten eksportet drejt Kosovës, por ajo çka është për Kosovën e rëndësishme është rritur edhe eksporti i Kosovës drejt Maqedonisë si produkte me cilësi të lartë. Prodhuesit kosovarë dëshirojnë të marrin treg edhe më shumë në Maqedoni për shkak të kostos së ultë të transportit dhe mentalitetit të ngjashëm konsumues sidomos me Maqedoninë Veriperëndimore”, theksoi ai.

Ambasadori Ilija Strashevski tha se Maqedonia për çdo dite është duke i reformuar sistemin dhe politikat investive dhe kjo bënë që Maqedonia ta ketë primatin për reforma të politikave ekonomike në Ballkanin Perëndimor “dhe së fundi oferta e subvencionimit për investitorët deri në 50% është oferta më atraktive dhe nga kjo na presim shumë investitorë që të vinë edhe nga Kosova sepse rruga ‘Arbër Xhaferi’ do të ul koston e transportit, të kohës për të arritur më shpejtë në destinacionin e duhur”.

Në fund të takimit Ambasadori falënderoi AKB-në për bashkëpunimin tradicional me Ambasadën Maqedonase në Kosovë.