Arbëri

Austria, ndër investitorët më të mëdhenj në Kosovë

Austria është njëri ndër pesë investitorët më të mëdhenj në Kosovë. Kështu u tha sot në hapjen e Forumit ekonomik kosovaro-austriak ku morën pjesë përfaqësues nga Oda Ekonomike e Austrisë, Kosovës si dhe ministrat e Qeverisë që ndërlidhen me ekonominë.

Me këtë rast u theksua rritja e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Austrisë dhe rritja e investimeve që ky shtet do të bëjë në Kosovës.

Peter Hasslacher nga Oda Ekonomike Federale e Austrisë ka thënë se Austria është ndër pesë investitorët më të mëdhenj në Kosovë dhe se është në rrugë të mirë të zhvillimit ekonomik të saj.

“Kemi rritje të shkëmbimeve tregtare me Austrinë prej 188 milionë në 220 milionë euro. Gjithashtu kemi pasur edhe investime direkte që është një lajm i mirë. Kosova është në një rruge të mirë të zhvillimit ekonomik të saj”, tha Hasslache, raporton KP.

Kryetari i Odës, Safet Gërxhaliu ka treguar se gjithmonë do të përkrahen bizneset austriake në Kosovë dhe se është shumë i lumtur për partneritetin që e ka me këtë vend.

“Ne si Odë ekonomike jemi partner po provojmë që t’i përkrahim bizneset austriake në Kosovë. Duke i parë investimet austriake në vendet e rajonit, ku ka miliarda investime e kemi parë që ka hapësirë për të investuar edhe tek ne”, tha Gërxhaliu.

Sipas tij për këtë duhet të gjinden metoda të reja për të rritur këtë bashkëpunim dhe se Kosova duhet të punojë më shumë në ndryshimin e imazhit të saj.

Franz Wessing nga Ministria e Shkencës dhe Ekonomisë përmendi disa nga ngjarjet e rëndësishme që kanë ndodhur në Kosovë që nga shpallja e pavarësisë.

“Disa nga ngjarjet më të rëndësishme që kanë ndodhur brenda këtyre viteve janë: marrëveshja e bashkëpunimit ekonomik, marrëveshja për financiare për kredi të buta, dhe marrëveshja për tatim të dyfishtë që ka për tu nënshkruar këtë vit. Procesi i Berlinit është po ashtu i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të rajonit. Është e rëndësishme agjenda e Samitit të Berlinit për rrjetëzimin e infrastrukturës energjetike dhe infrastrukturës në përgjithësi. Ne do të shohim mundësitë për bashkëpunim në teknologji, mjedis, edukimit etj”, ka thënë ai.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Hykmete Bajrami tha se Austria është akter i rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të Kosovës.

“Kosova dhe Austria kanë nënshkruar marrëveshje bilaterale në shumë fusha të cilat ndihmojnë zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike të të dyja vendeve. 225 milionë euro investime janë bërë gjatë këtyre viteve nga shteti austriak. Austria është akter i rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të Kosovës. Të gjithë sektorët në Kosovë janë të hapur për investimeve të huaja”, tha Bajrami,

Ndërsa ministri i Zhvillimit Ekonomik Blerand Stavileci tregoi tri projektet konkrete që ka Ministria që ai drejto,

“Ne po e përgatisim strategjinë e re për energjetike. Jemi në një projekt energjetik që është investim prej 1 miliard euro e cila është projekti jonë për termocentralin ku pas përmbylljes së fazës financiare, investitori do të përgatis fazën tenderuese për ndërtimin e tij dhe këtu mund të marrin pjesë të gjitha kompanitë qe janë të interesuara përfshirë edhe ato austriake dhe teknologjia që të do të përdoret do të jetë një ndër teknologjitë më të reja”, tha Stavileci.

Ai gjithashtu tregoi se për herë të parë është krijuar fondi për efiqiencë të energjisë.