Arbëri

Edi Rama paralajmëron marrëveshje historike me Greqinë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste ka zbardhur disa pika të takimit me homologun e tij grek, Aleksis Tsipras. Sipas Ramës, është duke u arritur një marrëveshje historike me Greqinë, pasi po punohet në shumë drejtime.

Kryeministri tha se po punohet për Ligjin e luftës dhe komunitetin çam për t’i garantuar atij të drejta të plota, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Pajtohem me përshtypjet se momenti i nënshkrimit të një dokumenti të ri për partneritet strategjik me Greqinë është shumë afër. Duhet të presim raportin e shkruar për një sërë temash, që prekin harkun kohor të 70 vjetëve, duke filluar nga ligji absurd i luftës, deri tek komuniteti çam për të pasur lëvizje të lirë dhe akces të plotë ligjor për sa u përket të drejtave të pronësisë. Po ashtu po punojmë dhe për lehtësimin e të gjitha marrëdhënieve që kushtëzojnë komunitetin e madh të shqiptarëve në Greqi në aspektin e burokracive dhe të lëvizjes, përfundimin e procesit dhe garantimin e këtyre marrëdhënieve, por edhe përmes përfundimit të një marrëveshjeje mes dy ministrive të brendshme, që përbëjnë një hap të konsiderueshëm përpara”, deklaroi kryeministri i Shqipërisë.

Nga ana tjetër, kryeministri i Shqipërisë tha se po e shohim me shumë simpati dialogun mes Greqisë dhe Maqedonisë, ku këto negociata të vështira, sipas Ramës, do t’i hapin rrugën Maqedonisë për integrimin e saj në NATO dhe BE. Ndërkohë që të hënën, Komisioni për Politikë të Jashtme në Parlamentin e Shqipërisë ka thirrur në një seancë dëgjimore lidhur me bisedimet me Greqinë dhe çështjen çame ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)