Arbëri

Heshtin prokurorët që po hetojnë aferën “Pronto”

Prokuroria e Kosovës hesht kur pyetet rreth hetimeve në aferat “Pronto”.

Kohavisioni ka pyetur Prokurorinë para dy muajve nëse hetimet janë drejt përfundimit ose ka aktakuzë, por nuk ka marrë përgjigje, megjithëse pyetjet janë përsëritur në adresë të Prokurorisë para 1 jave.

Vetë kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi, tha se në janarin e 2018-s do të jepen rezultatet e para nga hetimi i procesit të “Pronto 2-shit”.

KTV-ja ka kërkuar nga Prokuroria e Shtetit përgjigje në këto pyetje:

Deri ku kishin arritur hetimet? A pritej të ketë ndonjë aktakuzë për këtë çështje? Dhe nëse do të ketë zgjerim hetimesh edhe për “Pronton 3”?

Pyetjet e njëjta u janë dërguar edhe tre prokurorëve që janë duke u marrë me rastin, Drita Hajdari, Elez Blakaj dhe Lulzim Sylejmani, por asnjëri nga ta nuk ka kthyer përgjigje.

Kujtomë që përgjimet e publikuara nga Kohavisioni shpërfaqnin afërsinë që Kryeprokurori Lumezi kishte me Partinë Demokratike të Kosovës.

Përfshirjen e Aleksandër Lumezit në PDK, ish-kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, kishte planifikuar ta bënte përmes Kongresit. Në përgjimin e radhës, Adem Grabovci i kishte sugjeruar Thaçit se kjo edhe mund të bëhej përmes kryesisë, të cilën Thaçi do të ishte mirë ta bënte personalisht. Për këtë inkuadrim ishte pajtuar edhe Kadri Veseli.

Vetë, Veseli i cili gjatë asaj kohe ende nuk ishte pjesë zyrtare e PDK-së, nuk e kishte mohuar faktin se PDK-ja e kishte shqyrtuar emrin e Lumezit për kandidat për Prishtinën, duke thënë se ishte detyrë e tyre që të sillnin kuadro në parti.
 

Por, ky veprim i Lumezit, që në atë kohë ishte kryeprokuror i Prokurorisë së Qarkut në Prishtinë, nuk mund të hetohet nga Zyra e Prokurorit Disiplinor.

Kjo bëhet e ditur përmes një komunikimi elektronik të KTV-së me Prokurorin Disiplinor, Arian Salihu, i cili ka deklaruar se ndryshimet e bëra në ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës ua pamundësojnë një gjë të tillë.

Ai ka thënë se procedura nuk do të fillojë pasi ka kaluar afati prej dy vjetëve nga dita e shkeljes së supozuar. Mbi këtë bazë ligjore, ZPD-ja nuk ka mandat ligjor të veprojë.