Arbëri

Cuoci: Situatë e qetë në Kosovë, s’kemi plan për zvogëlimin e trupave

Descriptive Text

Me gjithë ngjarjet e fundit që ndodhen në veri, situata në Kosovë është e qetë dhe stabile. Kështu thotë në një intervistë për KosovaPress komandanti i KFOR-it, gjenerali Salvatore Cuoci, i cili ka theksuar se NATO e mbështet transformimin e FSK-së në Forcë të Armatosur, vetëm nëse bëhet me ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës.

“Mund të them se situata është e qetë dhe stabile, dhe sipas asaj që ndodhi në javët e fundit, e patëm një sens të përgjegjësisë, që e morëm nga të gjithë qytetarët e Kosovës. Unë isha në takim në veri me përfaqësues të pjesës veriore dhe të institucioneve në veri të Kosovës, ku të gjithë së bashku u ulëm për të shikuar se si mund të marrim një përgjegjësi më të madhe dhe të punojmë së bashku për një vend më të qetë dhe më stabil”, tha ai.

Ai thotë se edhe pas ngjarjes së fundit në veri, ku u vra Oliver Ivanoviq, KFOR-i me të gjitha institucionet tjera të sigurisë në Kosovë, po mundohen që ta mbajnë një situatë të qetë, edhe pse rasti në fjalë në njëfarë mënyre, sipas tij, ka prekur pak gjendjen e sigurisë në vend.

“Ne po punojmë ngushtë që të ofrojmë një ambient të qetë dhe të sigurt dhe po punojmë për të garantuar lirinë e lëvizjes, për të gjithë qytetarët e Kosovës. Po mundohemi me të gjitha forcat tona që këtë episod, i cili ndodhi kohëve të fundit, nuk është diçka që do të ketë ndikim apo do të prek situatën e përgjithshme të sigurisë. Ne bashkë me të gjitha institucionet e në veçanti me bashkësinë ndërkombëtare, jemi munduar dhe po mundohemi, që të mbajmë një situatë të qetë, dhe më duhet të them për shkak se ngjarja që ndodhi së fundi, ishte diçka e thellë emocionale, e cila në një farë mënyre ndoshta e ka prek dhe sigurinë e Kosovës, mirëpo ne po mundohemi të mbajnë një situatë të qetë. Të punojmë, të vazhdojmë dhe të vlerësojmë sigurinë me maturitet për këtë arsye them se të gjithë së bashku mendojmë se është një situatë shumë e mirë e sigurisë”, tha ai.

Ai ka folur edhe për takimin me shefin e Shtabit të Ushtrisë së Serbisë, Gjenerali Lubisha Dikoviq, i cili pati thënë se është njoftuar nga komandanti i KFOR-it, se mund të ketë trazira në Kosovë, megjithatë Cuoci ka thënë se i ka thënë që nuk ka nevojë për shqetësim.

“Kishim një telefonatë, plus kishim dhe takim. Kjo është diçka që ndodhë në kuadër të mandatit të KFOR-it. Një gjë të tillë e bëjmë dhe lidhemi me të gjitha vendet e rajonit. Pra, kohë pas kohe shkëmbejmë informata rreth situatës. Gjithashtu bëjmë dhe vlerësimin e forcave të sigurisë dhe bëjmë vlerësimin e situatës së përgjithshme. Në atë kohë kjo ishte diçka normale, sepse kjo është diçka në kuadër të mandatit dhe unë i kam thënë dhe atij që është situatë e qetë. Pra asgjë nuk po ndodhte në vend dhe që ne po punojmë dhe nuk ka nevojë për shqetësim. Pasi që situata është nën kontroll. KFOR-i, institucionet në Kosovë dhe organizatat ndërkombëtare janë duke u përkujdesur për situatën”, tha ai.

Cuoci ka folur dhe për bashkëpunimin e KFOR-it me mekanizmat e sigurisë në Kosovë. Ai tha se me institucionet e sigurisë në Kosovë, kanë një bashkëpunim shumë të mirë, me qëllim që të garantojnë një mjedis të qetë.

“Duhet të them që është bashkëpunimi shumë i mirë, kemi një lidhje shumë të mirë, me të gjithë dhe mbështetemi shumë në njëri-tjetrin. Është një lidhje që e kemi me institucionet e sigurisë, për të garantuar një mjedis të qetë. Të njëjtën punë e bëjmë sikurse me Policinë e Kosovës, sikurse me EULEX-in, me gjithë ata e kemi një lidhje mjaftë të mirë, në mënyrë që në kuadër të mandatit tonë, të sigurojmë vendin tuaj dhe do të vazhdojmë me të njëjtin nivel të bashkëpunimit dhe me të njëjtin nivel të lidhjes që e kemi krijuar për të ofruar një mjedis të qetë”, tha ai.

Komandanti i KFOR-it, Cuoci u ndal edhe te bashkëpunimi i KFOR-it me vendet e rajonit, duke pohuar se kanë një bashkëpunim të shkëlqyer me Shqipërinë, Serbinë, Maqedoninë e Malin e Zi, me të cilët i takon si partnerë për të shkëmbyer informata.

Kurse, sa i përket FSK-së dhe shndërrimin në forcë të armatosur, ai tha se do të mbështesin çdo gjë, nëse bëhet përmes ndryshimeve të kushtetutës.

“Ne e mbështesim FSK-në dhe mundohemi që t’i rrisim tutje kapacitete e FSK-së, në mënyrë që ata t’i kryejnë detyrat e tyre, në kuadër të mandatit të tanishëm. Çka do që shkon është brenda mandatit të tanishëm. Ne kemi në kuadër veçantë për këshillim që është krijuar drejtpërsëdrejti prej Brukselit dhe merret drejtpërsëdrejti me FSK-në. Dhe ajo është pjesa e parë. Pjesa e dytë sa ai përket transformimit të FSK-së, pozita e NATO-s është e tillë që ne do të mbështesim çdo gjë që bëhet në kuadër të ndryshimeve të kushtetutës së Kosovës, kjo duhet të bëhet me ligj dhe pastaj ne si NATO gjithçka që bëhet e mbështesim vetëm nëse bëhet me Kushtetutën e Kosovës, nëse doni mund ta bënë atë pa asnjë problem”, tha ai.

Ndërsa tha se nuk ka ndonjë plan për zvogëlimin e trupave të KFOR-it në Kosovë. Megjithëse në momentin kur kjo do të ndodhë, është një sinjal i mirë dhe shenjë e aftësisë që Kosova mund t’i kryej vet detyrat e saj.

“Nuk ka ndonjë plan, nuk ka ndonjë shenjë, që do të ketë zvogëlim të trupave të NATO-s në Kosovë. NATO është e përkushtuar dhe vazhdon të mbetet e përkushtuar, në mbështetje të Kosovës. Tani për tani mendoj që nuk ka nevojë, se do të ketë ndonjë zvogëlim të mundshëm trupave të KFOR-it në Kosovë. Në qoftë se kjo ndodh apo kur do që kjo do të ndodh, kjo do të ndodh vetëm nëse bëhet një vlerësim i situatës më të mirë në terren. Kur kjo të ndodh do të shihet që nuk ka nevojë më për neve këtu. KFOR-i vazhdon t’i bëjë punën e njëjta, vazhdon ta bëjë kontrollimin e linjës administrative të kufirit, pa ndonjë ndryshim në këtë, vazhdon të garanton një ambient të qetë dhe të sigurte, për të gjithë. Liri të lëvizjes dhe të gjitha këto janë në kuadër të punës së tanishme. Pra nuk ka ndonjë ndryshim të mundshëm të numrit të pjesëtareve. Ne i kemi dhe forcat rezerve, të cilat në qoftë se ka nevojë ato vijnë, por prapë e them që për NATO- n ende jemi përkushtim shumë i madh dhe i fuqishëm. Nuk ka ndonjë plan për zvogëlimin e numrit të pjesëtareve. Më duhet të nënvizojë edhe njëherë se në qoftë se diçka e tillë mbetet për të ndodhur NATO dhe KFOR-i do ta bëjnë atë vetëm kur situata, bëhet më e mirë. Vetëm kur e shohin se më nuk do të ketë nevojë për neve në terren...Më duhet të them se situatat është e qetë. Situatat e përgjithshme e sigurisë është e qetë. Por në qoftë se shohim se ka ndonjë kërcënim, që i kanoset qytetarëve të Kosovës, ajo është diçka tjetër. Por nëse NATO vendos të bëjë zvogëlimin e numrit të pjesëtarëve në Kosovë, atëherë ju duhet ta shihni këtë si një shenj të mirë, si një shenjë të maturisë dhe aftësisë, për të kryer ju vet detyrat e juaja”, tha ai.