Arbëri

Britania s’e pajis me vizë Haradinajn, kryeministria thotë se po pret përgjigje

“As Britania s’e pajis me vizë kryeministrin Haradinaj” është titulli që ka mbuluar ballinën e “Kohës Ditore”, të shtunën.

Sipas gazetës, për shkak të “izolimit”, në të cilin e ka vënë Perëndimi, pjesëmarrja e kryeministrit Ramush Haradinaj në Samitin e Investimeve të Ballkanit Perëndimor, që do të mbahet në Londër më 26 shkurt, është vënë në pikëpyetje.

“Burime të gazetës kanë thënë këtë javë se Ambasada Britanike në Prishtinë, deri tash, nuk e ka pajisur me vizë kreun e Qeverisë. Dy javë më parë, edhe Ambasada Amerikane refuzoi t’i jepte vizë Haradinajt, duke ia pamundësuar një aktivitet në shtetin e Iowa-s”, thuhet tutje në këtë shkrim, raporton KTV.

Masa të këtilla, sipas gazetës, kanë pasuar pak kohë prej kur kreu i Qeverisë, si dhe presidenti Hashim Thaçi, cytën iniciativën për ta shembur Gjykatën Speciale, pavarësisht se themelimi i saj është bërë në marrëveshje me ndërkombëtarët.

Në një përgjigje për “Kohavisionin”, Zyra për Informim e Qeverisë, ka mohuar që kryeministrit t’i jetë refuzuar viza. Megjithatë, ata kanë pranuar se Haradinajt ende nuk i është aprovuar ajo.

Ndërsa, këshilltari i Haradinajt, Halil Matoshi, në një postim në Facebook, ka akuzuar gazetën ku ka punuar në të kaluarën, për “kalim të kufijve të etikës”.

Pak kohë pas përpjekjes për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, në Kuvendin e Kosovës, kryeministrit Haradinaj i ishte refuzuar viza për SHBA.