Arbëri

Delawie: Dogana e Kosovës duhet të luftojë korrupsionin

I organizuar nga Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, është mbajtur sot takimi i 4-të nivelit të lartë për sundimin e ligjit, ku në fokus ishte puna e Doganave të Kosovës, njofton kumtesa qeveritare, transmeton Koha.net.

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, në hapje të këtij takimi, tha se Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar në rrugën e saj për Sundimin e ligjit dhe shpreh mbështetjen e saj në këtë drejtim. Por, kryeministri Haradinaj veçoi se vetëm një veprim ndërinstitucional mund të sjellë suksese në përpjekjen e përbashkët për sundim të ligjit.

Për ambasadorin Amerikan në Prishtinë, Greg Delawie, Dogana e Kosovës duhet të vazhdojë me luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe se duhet vazhduar me reforma dhe me koordinim të punëve me akterë të tjerë për sundimin e ligjit.

Ndërkaq, shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova tha se Bashkimi Evropian është donatori dhe partneri më i madh i vendit, në rrugën e tij për sundim të ligjit.

Drejtori i Doganave të Kosovës, Bahri Berisha tha se projeksioni i institucionit që ai drejton është që në vitin 2018-të, të ketë të hyra prej 1.175 miliardë euro, derisa 65 për qind e të gjitha taksave në Kosovë, grumbullohen nga Dogana. Ndër sfidat e funksionimit të këtij institucioni u përmend krijimi i një njësie të përbashkët kombëtare të Inteligjencës dhe caktimi i Prokurorëve dhe Gjyqtarëve të veçantë për çështjet e Doganës.

Ministri i Financave, Bedri Hamza, ka thënë se Doganat e Kosovës e kanë mbështetjen e plotë në punën e tyre dhe se pikërisht për këtë, tashmë është ndarë buxhet për ndërtimin e objektit të ATK-së dhe Doganës. Gjithashtu, Hamza tha se ky institucion duhet të ketë parasysh që në pozitat udhëheqëse të vendosen persona në bazë të meritokracisë.

Nga ana tjetër, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, përmendi faktin që Avokatura Shtetërore aktualisht nuk po arrin t’i shqyrtojë të gjitha lëndët që kanë të bëjnë me Doganat, të cilat arrijnë shifrën prej 3260 lëndë dhe se në këtë drejtim po punohet që vetë Dogana t’i krijojë kapacitetet e saj për t’i trajtuar ato.

Në takimin e sotëm, morën pjesë edhe ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, shefja e EULEX-it, Alexandra Papadopoulou, dhe përfaqësues të tjerë nga institucionet përkatëse.