Arbëri

Avokati i Popullit: Kushtëzimi për regjistrim automjetesh, i paligjshëm

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, ka shpjeguar në Interaktiv të KTV-së përse kushtëzimi i pagesës së tatimit për regjistrim të automjeteve është jo i rregullt.

Ai thotë se ky veprim është i paligjshëm dhe është shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut.

Jashari thotë se kanë kërkuar nga Ministria e Financave që të bëjë ndryshime në udhëzimin administrativ, pasi ajo kishte nxjerrë këtë dhe ky udhëzim është përkrahur nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, e më pas komunat kanë zbatuar qarkoren e MAPL-së.

“Kemi konstatuar se është shkelje të drejtave të njeriut dhe është veprim i paligjshëm. Nuk do të duhen të zbatohen. Në frymën e ligjeve janë në kundërshtim dhe si e tillë duhet të anulohen. Kjo është kërkesa kryesore. Kushtëzimet e tilla në situata dhe praktika të vendeve tjera nuk ndodhin dhe rregullat procedurale janë të qarta, që i japin mundësi qytetarit të ankohet. Ndërsa në këtë situatë kjo pamundësohet sepse qytetari ose duhet të zgjedhë të paguajë tatimin, ose të mos regjistrojë automobilin”, ka shpjeguar Jashari. “Është udhëzim administrativ i nxjerrë nga Ministria e Financave, është përkrahur nga Ministra e Administratës Publike, komunat kanë zbatuar këtë qarkore nga MAPL. Kemi kërkuar të bëhet ndryshimi i udhëzimit administrativ dhe kemi kërkuar që të respektohen dy ligjet bazë, ligji për regjistrimin e pronës së paluajtshme dhe ligji mbi administratën tatimore, që tregojnë qartë cilat janë veprimet nëse qytetarët dështojnë të paguajnë tatimet në pronë”.

Jashari thotë se padyshim që janë rritur të hyrat, por kjo nuk duhet të bëhet me kushtëzime. “Ky kushtëzim nuk i kontribuon frymës kushtetuese”, ka thënë ai.

Avokati i Popullit po ashtu ka bërë të ditur se do të presë deri një muaj për një shpjegim nga Ministra e Financave e nëse nuk përfillen këto masa do të kontaktojë edhe Kryeministrinë e si masë të fundit edhe Kuvendin e Kosovës. Nëse nuk ka kurrfarë reagimi, ekziston mundësia edhe e dërgimit në Gjykatë të Udhëzimit Administrativ.