Arbëri

Haxhiu: Kosova s’mund të izolohet më shumë se tash

00:20 - Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, u është përgjigjur ambasadorëve ndërkombëtarë në Kosovë që thonë se Kosova rrezikon të izolohet nëse e shfuqizon Gjykatën Speciale.

“Kosova nuk mund të izolohet më shumë se tash”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së duke shtuar se Specialja ishte votuar më parë për shkak se ishte menduar që do të hapej perspektiva për Kosovën.

“Kemi votuar atëherë, me shpresë që do ta kalojmë dhe do të hapet perspektiva për vendin tonë. Edhe pse e kaluam Specialen nuk u hap ajo perspektivë”, ka thënë Haxhiu që ka shtuar se edhe pse e ka votuar pro në të kaluarën, gjithmonë ka qenë kundër saj.

Haxhiu, që është në mesin e deputetëve që nisën iniciativën për shfuqizimin e Speciales, thotë se vota e tij do të jetë në përputhje me vendimin e partisë së tij.

“Qëndrimi im është si ai i Kadri Veselit. Ashtu si do të jetë qëndrimi i Veselit ashtu do të jetë edhe qëndrimi im”, ka thënë Haxhiu.

Ai në fund ka shtuar se ka pritur më shumë nga qeveria Haradinaj. Haxhiu ka deklaruar se është zhgënjyer nga vendimi për rritje page për stafin e qeverisë, nga kryeministri Ramush Haradinaj.

“Kam pritur më shumë nga kryeministri. Nuk ka qenë e nevojshme që ta rrisë pagën e vet dhe të ministrave të tjerë. Mendoj se s’ka pasur nevojë”, ka deklaruar ai.


Haxhiu pas shkarkimit nga PDK-ja: S’kam pse i frikësohem Lushtakut

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, që mbrëmë u shkarkua nga pozita e nënkryetarit të degës së partisë në Skenderaj, thotë se një vendim i tillë ishte jolegjitim.

Në Interaktiv të KTV-së, Haxhiu ka thënë se ky vendim është jovalid sepse ka pasur shkelje në dy aspekte.

“Edhe për nga forma e thirrjes pa rend të ditës dhe pa ftuar të gjithë anëtarët e kryesisë dhe për nga aspekti statusor, pasi mandati i kryesisë së degës është vetëm organizimi i zgjedhjeve”, ka thënë ai.

Haxhiu ka thënë se kryetari i degës në Skenderaj, Sami Lushtaku po dëshiron që pozitën e tij ta marrë djali i vet, Mërgim Lushtaku.

“Ka tentativa për të përgatitur situata për të dominuar dikush në prag të zgjedhjeve të brendshme. Po bëhet një përgatitje që në krye të degës të vijë djali i Sami Lushtakut, Mërgimi që sapo është zgjedhur deputet. Kjo mund të bëhet me konkurrencë me garë demokratike e fer, e me frymë të bashkëpunimit. Nëse i bind anëtarësinë pse të mos fitojë. Por jo të neglizhojë anëtarët e kryesisë”, ka thënë më tej Haxhiu.

I pyetur nëse i frikësohet përballjes me Lushtakun për shkak të fuqisë që ka brenda PDK-së, Haxhiu ka thënë se me ish-kryetarin e Skenderajt dëshiron vetëm bashkëpunim.

“S’kam pse i frikësohem Lushtakut. Me të vetëm mund të bashkëpunojmë. Jemi në një subjekt politik”, ka thënë ai.