Arbëri

Pse nuk kaloi Ligji për fuqizimin e Kryeprokurorit të Shteti

Fuqizimi i Kryeprokurorit të Shtetit përmes ligjit nuk ka kaluar në Komisionin për Legjislacion, pasi ndryshimet dhe plotësimet e këtij ligji po konsiderohen në kundërshtim me Kushtetutën, raporton KTV.

Për të sqaruar fuqinë që Ministri i Drejtësisë dëshiron t’ia japë Kryeprokurorit të Shtetit përmes këtij ligji, Komisioni për Legjislacion i ka ftuar të dy që të japin arsyetimet para Kuvendit. Kryetarja e Komisionit për Legjislacion, Albulena Haxhiu, tha se rekomandimet dhe vërejtjet e marra nga zyra e BE-së, Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe Grupi për Studime Politike dhe Juridike rrisin edhe me tepër paqartësinë e asaj që po tenton ta bëjë Ministria e Drejtësisë, përmes këtyre ndryshimeve.

Sipas ndryshimeve të propozuara nga Ministri i Drejtësisë, parashihet fuqizimi i pozitës së kryeprokurorit të Shtetit, duke i deleguar atij kompetenca shtesë, të cilat aktualisht janë në përgjegjësinë e Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Kohavisioni ka siguruar draftin e këtyre ndryshimeve, që ka gjithsej 6 nene.

Neni i parë parasheh që kryeprokurori i shtetit të marrë kompetencat e KPK-së që t’i caktojë vet prokurorët në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, sipas nevojave urgjente dhe ngarkesës me lëndë në këtë prokurori.

Por ky propozim, sipas IKD-së, bie në kundërshtim të drejtpërdrejtë me nenin 110 të Kushtetutës, i cili këtë detyrë ia ka përcaktuar Këshillit Prokurorial të Kosovës, që ka përgjegjësi t’i rekrutojë, propozojë, avancojë, transferojë dhe disiplinojë prokurorët në mënyrën e rregulluar me ligj.