Arbëri

Në Tiranë marshe kundër dhunës ndaj vajzave

Disa qindra studentë dhe qytetarë zhvilluan sot një marshim proteste në nderim të studentes Ariela Murati, të vrarë nga një student para Universitetit.

Me kurora, lule dhe foto në duar ata marshuan mes për mes Tiranës nga fakulteti i drejtësisë deri te ai i drejtësisë, ku ajo humbi jetën, duke protestuar në heshtje për dhunës ndaj vajzave.

Rrjeti i Monitorimit kundër Dhunës me Bazë Gjinore u kërkoi autoriteteve masa urgjente shtesë për të mbrojtur viktimat e kësaj dhune.

Studentja 21 vjeçare Ariela Murati humbi jetën nga dhuna në Tiranë, ndërsa një tjetër moshatare Paola Bisha u vra në Vlorë, pa përmendur tentativë vrasje të ndryshme ndaj grave e vajzave, transmeton voa në shqip.

41 organizata të shoqërisë civile iu kërkuan me një deklaratë të përbashkët presidencës, parlamentit dhe qeverisë masave urgjente, për të rritur raportimin e rasteve të dhunës ndaj grave dhe vajzave, në të gjitha format që ajo paraqitet, duke përfshirë edhe kërcënimet për kryerjen e këtyre akteve, si në jetën publike, ashtu edhe private.

“Askush nuk ka të drejtë të konsiderojë vajzat dhe gratë si pronë të tyre. Refuzimi nga vajzat dhe gratë për të qenë në një marrëdhënie dashurie, bashkëjetese a martese ose e drejta për të ndërprerë këto marrëdhënie janë shprehje e lirisë së personit dhe duhet të respektohen nga kushdo qoftë” - thonë ata në deklaratë.

Anëtarët e Rrjetit të Monitorimit kundër Dhunës me bazë Gjinore bënë thirrje që të rishikohet legjislacioni, ku të shtohen masat mbrojtëse në rastet e dhunës në familje dhe në format e tjera të dhunës ndaj grave. “Konventa e Këshillit të Europës “Për Parandalimin dhe Goditjen e Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje” dhe Raporti i GREVIO-s për Shqipërinë kërkojnë nga autoritetet që urdhrat me karakter shtrëngues dhe mbrojtës të jenë të vlefshme për viktimat e të gjitha formave të dhunës” - thuhet në deklaratë.

Veprimtarët theksuan se masave të institucioneve për zbatimin e ligjeve kundër dhunës me bazë gjinore u ka munguar koordinimi dhe në mjaft raste nuk kanë qenë të efektshme.

“Këto institucione, në bashkëpunim me organizatat e shoqërisë civile duhet të marrin masa efektive dhe të koordinuara për rritjen e ndërgjegjësimit, parandalimin, mbrojtjen nga dhuna si edhe ofrimin e shërbimeve mbështetëse të specializuara për viktimat e dhunës me bazë gjinore në të gjitha format e saj” - pohojnë veprimtarët.

Ata bënë thirrje që çdo vajzë dhe grua që ndihet e frikësuar, e kërcënuar, e dhunuar në jetën private dhe publike, të denoncojë pa frikë rastet e kërcënimeve dhe të dhunës, duke u drejtuar pranë organeve të policisë dhe organizatave që ofrojnë këto shërbime.

“Policia ka nevojë të përgatitet më mirë për të trajtuar drejt çdo rast kërcënimi dhe të vlerësojnë më mirë rrezikun që mund të vijë prej tyre, për të parandaluar dhunën ekstreme” - pohuan veprimtarët.