Arbëri

Nis bashkëpunimi i MSH-së dhe SHSKUK-së me Qendrën Universitare të Gjenevës -HUG

Në organizim dhe iniciativë të Konsullatës së Kosovës në Gjenevë dhe Odës Ekonomike Zvicër- Kosovë, nën koordinimin e Ministrisë së Shëndetësisë, ka nisur bashkëpunimi ndërmjet Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës dhe Qendrës Universitare të Gjenevës- HUG.

Ky bashkëpunim ka filluar pas takimit që kishte kohë me parë Ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Uran Ismaili me ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, Jean-Hubert Lebet, i cili ka premtuar mbështetjen financiare për realizim të ndihmesës dhe projekteve konkrete për shëndetësinë e Kosovës.

Ramdan Avdiu, Konsull i Përgjithshëm në kuadër të Konsullatës së Kosovës në Gjenevë, tha se në bashkëpunim me Ambasadën e Zvicrës në Kosovë dhe me Odën Ekonomike Zvicër- Kosovë, e kanë parë të nevojshme inicimin e bashkëpunimit ndërmjet SHSKUK-së dhe HUG-it të Gjenevës. Sipas tij, është vlerësuar si shumë e nevojshëm fillimi i bashkëpunimit dhe ndihmesa që mund të japë Qendra Klinike Universitare e Gjenevës për QKUK-në, me theks të veçantë në infermieri, për ngritjen menaxheriale dhe profesionale të infermierëve, por edhe në fushat e tjera më specifike infermierore.

Ardian Ferizi, shef i Kabinetit të Ministrit të Shëndetësisë, njëherësh anëtar i Bordit Drejtues SHSKUK, tha se në Kosovë janë duke u bërë reforma të përgjithshme në shëndetësi dhe ndihmesat e përvojat dhe përkrahja e HUG të Gjenevës do të jenë të mirëseardhura, qoftë përmes trajnimeve specifike, por edhe fushave tjera të bashkëpunimit. Ai u interesua edhe për funksionimin e Sistemit Informimit Shëndetësorë dhe ndihmesat që mund të ofrojë HUG e Gjenevës për shëndetësisë përmes modeleve që ata kanë aplikuar e që janë treguar funksionale. Poashtu, edhe fushat tjera me rëndësi për zhvillimin e përgjithshëm të shërbimeve shëndetësore në Kosovë.

Në takimet e mbajtura në Qendrën Klinike Universitare të Gjenevës, Nicole Rosset, zv. drejtoreshë e çështjeve të jashtme në HUG, fillimisht bëri një prezantim të përgjithshëm të punës së HUG dhe shërbimet që ofrohen atje.

Rosset shprehu gatishmërinë për të këmbyer përvojat me delegacionin nga Kosova dhe tha se janë të interesuar të ndihmojnë në të gjitha fushat, me theks të veçantë në zhvillimin përgjithshëm të infermierëve, qoftë aftësive menaxheriale, por edhe atyre profesionale.

Arnaud Perrier, drejtor mjekësor i HUG, shpjegoi organizimin e tërësishëm të HUG, arritjet e këtij institucionit, duke shprehur gatishmërinë që të ndihmojë në shëndetësinë e Kosovës, duke sjellë edhe përvojat e tyre dhe stafit shëndetësorë të bazuara në standardet dhe rekomandimet edhe të OBSH të HUG.

Basri Sejdiu, UD. Drejtor i Përgjithshëm i SHSKUK-së, falënderoi konsullatën e Kosovës, zyrtarët e HUG dhe odën ekonomike Zvicër- Kosovë, për mundësinë e bashkëpunimit me SHSKUK dhe ndihmesat konkrete që mund të vijnë për SHSKUK. Ai prezantoi fushat në të cilat ka nevojë për mbështetje SHSKUK si dhe kërkoi përkrahje për lëmenjtë specifikë si në kardiokirurgji, radioterapi, anestezion, por edhe fusha të tjera specifike në të cilat SHSKUK ka nevojë të mbështetet.

Fetije Huruglica Udhëheqëse e Divizionit të Infermierisë në MSH dhe Lirije Beqiri, Koordinatore e Infermierisë në SHSKUK, pas prezantimit të zhvillimeve në infermieri kërkuan që sa i përket infermierëve, bashkëpunimi të përqendrohet në fushën e edukimit profesional dhe menaxherial të kryeinfermiereve të klinikave në QKUK, por edhe ngritja e përgjithshme, qoftë ngritjes së nivelit të komunikimit përmes trajnimeve, por edhe shkathtësive tjera klinike.

Sebastien Savornin, zëvendësdrejtor i kujdesit shëndetësor, prezantoi punën e përgjithshme, mënyrën e organizimit të përgjithshëm të shëndetësisë, i përqendruar edhe tek funksionimi i sistemit të informimit shëndetësorë dhe funksionimin e përgjithshëm.

Stefan Sarkany, kryetar i Odës Ekonomike Zvicër-Kosovë, tha se gjatë vizitës në Kosovë në bashkëpunim edhe me zyrtarët në Kosovë e kanë parë të udhës të përqendrohen në investimet në shëndetësi dhe ndihmesat që mund të japë QKU e Gjenevës për shëndetësinë e Kosovës. Ai premtoi se do të vazhdojë të angazhohet për të realizuar marrëveshje bashkëpunimi me qëllim të ndihmesave konkrete.

Në fund të takimeve dhe diskutimeve dy ditore u morë vendim që pas kërkesave dhe nevojave të paraqitura nga delegacioni kosovarë, zyrtarët e HUG të përgatisin një plan dhe projekt konkret për fillim të përkrahjes konkrete për Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) dhe shëndetësinë e Kosovës në përgjithësi.