Arbëri

Lekaj: Kosova mund të përballet edhe me një padi tjetër në Arbitrazh

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka paralajmëruar rrezikun për edhe një padi të re në Arbitrazh.

Fjala është për çështjen e vonesës së pagesës së punimeve në autostradën për Shkup.

Në raportimin e tij në Komisionin për Zhvillim Ekonomik, ai ka deklaruar se ish-ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, kishte kërkuar më 30 shtator zgjatjen e afatit deri me 31.12.2018 me një kosto prej mbi 14 milionë euro, por Qeveria e kishte kthyer mbrapa një kërkesë të tillë duke thënë se duhet të vendos komiteti ndërministror, ndërsa nga ajo kohë nuk është marrë asnjë veprim, raporton KTV.

“Marrëveshja është nënshkruar pa dakordim se sa do të kushtojë pagesa. Kërkesa e kontraktorit në nëntor ka dorëzuar dokumentin ku kërkon 63 milionë euro. Janë 3 faktorë që kanë përcaktuar këtë shumë: Zgjatja e projektit për pagesën dhe mbajtjen e projektit prej 16.6 milionë euro. Pajisjet që duhet të përdoren me kosto prej 30.8 milionë euro. Ndërprerjet që janë shkaktuar, me kosto prej mbi 10 milionë euro”, ka thënë Lekaj.

Ai ka thënë se pas ardhjes në krye të kësaj ministrie ka kërkuar nga mbikëqyrësi i punimeve “Hill International” sqarime për këtë kërkesë.

“Është aprovuar faktori 1, por për faktorët 2 dhe 3 jo. ‘Bechtel Enka’ kanë shprehur gatishmërinë për të zgjidhur situatën. Më 2014 është dashur të paguhen 70 milionë euro, kurse janë paguar 55 milionë. Në 2015, nga 220 milionë janë paguar 112 milionë. Në 2016, nga 205 milionë janë paguar veç 155 milionë”, tha më tej ministri i Infrastrukturës.

Lekaj ka thënë se për shkak të këtyre vonesave, ministria e ka të vështirë të mbrojë mos pagesën e kësaj çështjeje.