Arbëri

Kurti zyrtarizohet kryetar i VV-së - asnjë ankesë për procesin zgjedhor

Ditën e diel, pas numërimit të votave në zgjedhjet e brendshme për kryetar të Lëvizjes Vetëvendosje, Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm (KZP) ka bërë shpalljen e rezultateve paraprake të votimit.

Pas shpalljes së rezultateve paraprake, në përputhje me Rregulloren e Zgjedhjeve të Brendshme, KZP-ja ka lënë 24 orë afat në dispozicion për paraqitjen e letërankesave nga anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Sipas Rregullores, secili anëtar ka patur të drejtën e votës, ashtu siç ka patur edhe të drejtën për t’u ankuar pranë KZP-së për cilëndo pjesë të procesit zgjedhor.

Ndërsa, siç thotë VV në komunikatën për media, gjatë afatit në dispozicion për pranimin e ankesave, pranë KZP-së nuk është paraqitur asnjë letërankesë për procesin zgjedhor.

“KZP-ja ka konstatuar se procesi ka qenë i rregullt, dhe bazuar mbi rezultatet e bëra publike, shpall zyrtarisht deputetin Albin Kurti kryetar të Lëvizjes Vetëvendosje, duke i uruar punë të mbarë në mandatin e ri”, thuhet në njoftimin për media të VV-së.