Arbëri

Prokuroria e Apelit rastin e Nazim Sahitit e transferon në Prokurorinë e Gjilanit

Rasti i hetimit të shefit të Krimeve Ekonomike, Nazim Sahiti, dhe policit Avni Berisha që nga e hëna nuk është duke u hetuar nga Prokuroria Themelore e Prishtinës. Kjo pasi që për arsye ende të panjohura rasti është transferuar në Prokurorinë e Gjilanit.

Sahiti dhe Berisha janë duke u hetuar për shkak që kanë sulmuar drejtorin e Postës dhe Telekomit, Agron Mustafa, i cili ishte i shoqëruar nga një person. Ngjarja kishte ndodhur të shtunën e 30 dhjetorit të vitit 2017, te vendi i njohur si “Kafet e Vogla”. Berisha ishte suspenduar në ditën e sulmit, ndërsa ndaj Sahitit nuk është marrë asnjë masë, shkruan Koha Ditore.

Transferimin e ka konfirmuar kryeprokurori i Prokurorisë së Apelit, Haxhi Dërguti. Ai nuk ka pranuar të flasë për arsyet se pse ky hetim është transferuar nga njëra prokurori në tjetrën.

“Arsyet e transferimit janë të paraqitura në vendim”, ka thënë Dërguti, kur është pyetur nga gazeta. Ai interesimin e gazetës për të parë vendimin e ka cilësuar të adresuar gabimisht pasi që, sipas tij, vendimi i dërgohet vetëm palës.

Për transferimin e rastit është në dijeni kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka... (Më gjerësisht mund të lexoni në Koha Ditore)