Arbëri

Jasharajt dëshmuan stoicizmin e tyre

Me rastin e 20-vjetorit të sulmit të dytë nga forcat serbe në familjen Jashari në Prekaz, sot kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, së bashku me shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së dhe me bashkëpunëtorët e tij, kanë bërë homazhe pranë varrezave të dëshmorëve në Kompleksin Përkujtimor “Adem Jashari”.

Jashari përkujtoi stoicizmin dhe sakrificën e kësaj familje kur u ballafaqua me forcat serbe.

Ai tha se do t’i kujtojnë përherë dhe do ta përcjellin amanetin e tyre.

“22 janari i 98-ës, 20 vite nga sot apo 2 dekada, që u dëshmua dhe iu tregua regjimit të atëhershëm të Serbisë që erdhën njësitë prej më elitare që i kishte Serbia, në mënyrë dinake ende pa zbardhë drita, e sulmuan një familje tinëzisht, pa paralajmërim, por u thyen, i mposhtën në mënyrën më të mirë të mundshme ashtu si dinë shqiptarët të tregojnë se janë të zotët e këtij vendi. Ne do t’i kujtojmë përherë të gjithë dëshmorët që kanë ra për lirinë që ne e gëzojmë, që amaneti i tyre është që ne ta ndërtojmë këtë vend sot në mënyrë të pastër dhe të drejtë”, tha ai.

Edhe Migjen Shala, nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka shprehur nderimet e tij për veprën dhe heroizmin e familjes Jashari.

“Sot në 20-vjetorin e sulmit për herë të parë në Kosovë që ndodhi në familjen Jashari, ku u plagosën vajza e bacit Rifat dhe vajza e Hamëz Jasharit, erdhëm si OVL në bashkëpunim me komunën e Skenderajt ta vizitojmë ... Këtu filloi rezistenca e parë ndaj okupatorit serb dhe këtu u vunë themelet e UÇK-së në atë ditë filloi lufta dhe mobilimizi i popullit shqiptar në kryengritje ndaj okupatorit”, tha ai.

Në kuadër të këtyre homazheve, të pranishëm ishin edhe nxënësit e shkollës së mesme “Hamëz Jashari”, të cilët kanë vendosur lule tek varret e dëshmorëve në shenjë respekti e nderimi.