Arbëri

LDK: Koalicioni qeverisës dëmton raportet e Kosovës me Parlamentin Europian

Prishtinë, 22 janar - Deputetët e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, Armend Zemaj dhe Arben Gashi, kanë përfaqësuar Lidhjen Demokratike të Kosovës në takimin IV të përbashkët të Komisionit të MSA-së bashkë me deputetët e Parlamentit Evropian. Takimi u mbajt në Strasburg dhe deputetët e LDK përgjatë dy ditëve paraqitën qëndrimin e LDK-së lidhur me implementimin e MSA-së, e cila është e arritura e deritashme më e madhe e Kosovës në rrugën evropiane si marrëveshja e parë kontraktuale në mes të Kosovës dhe BE-së, që është nënshkruar gjatë qeverisjes së Qeverisë Mustafa.

Ndër temat bosht të takimit ishte edhe nisma për shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara me ç ‘rast deputetët e LDK-së rikonfirmuan qëndrimin se LDK do të vazhdojë të kundërshtojë çdo ide që ka për qëllim dëmtimin e sovranitetit të vendit dhe të partneritetit me shtetet mike. Deputetët po ashtu diskutuan lidhur me sundimin e ligjit, dialogun Kosovë-Serbi, krimet e kryera nga Serbia në Kosovë dhe tema të tjera lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë.

Fatkeqësisht, për shkak të qasjes tërësisht të papërgjegjshme të deputetëve të koalicionit qeverisës, dështoi miratimi i konkluzioneve të përbashkëta në mes të Parlamentit Evropian dhe Kuvendit të Kosovës. Kjo ndodhi për shkak se deputetët e koalicionit qeverisës kundërshtuan një paragraf të propozuar nga deputetët e Parlamentit Evropian, i cili u bënte thirrje liderëve politikë në Kosovë që të vazhdojnë të përkrahin funksionimin e Gjykatës Speciale në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Përderisa deputetët e LDK-së dhe të gjithë deputetët evropianë votuan PËR, ishin deputetët e koalicionin qeverisës që kundërshtuan me çdo kusht këtë pjesë të konkluzioneve, që rezultoi me dështimin e tërësishëm në procesin e miratimit të tyre. Ky ishte një veprim i paprecedent, sepse në asnjë nga takimet paraprake, Kuvendi i Kosovës dhe Parlamenti Evropian nuk kanë dështuar të arrijnë pajtim.

Parlamenti Evropian është institucioni i vetëm brenda Bashkimit Evropian që gjithnjë ka bërë thirrje të njihet pavarësia e Kosovës dhe ka përkrahur Kosovën me një sërë programesh. LDK e vlerëson të dëmshëm dhe të papranueshëm veprimin e deputetëve të koalicionit qeverisës, sepse kjo rezulton me dëmtimin e raporteve në mes të Kuvendit të Kosovës dhe Parlamentit Evropian dhe e paraqet Kosovën si vend që kundërshton parimet e sundimit të ligjit.

LDK do të vazhdojë të punojë së bashku me partnerët tanë evropianë për t’u siguruar se nuk dëmtohen edhe më tej përpjekjet dhe synimet e qytetarëve të Republikës së Kosovës për integrim të vendit tonë në BE.