Arbëri

NYT: Vuçiqi akuzohet se po nxit frikë te serbët në Kosovë për të përfituar politikisht

Descriptive Text

Gazeta e përditshme amerikane, New York Times, ka shkruar për vizitën e presidentit serb Aleksandar Vuçiq në Kosovë, të cilën e cilësuan si sfidë për të, pasi ai nuk e njeh sovranitetin e këtij vendi edhe pse vend fqinj.

“Një vizitë e Vuçiqit në Kosovë e cila u aranzhua menjëherë, erdhi si pasojë e vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviq, ku Vuçiqi u zotua se do t’i mbrojë serbët etnikë që jetojnë në Kosovë, një vend që ende lëngon nga luftërat ballkanike të viteve të 90-ta, ku gjithashtu bëri thirrje për qetësi”, shkruan NYT, transmeton Koha.net.

Vuçiq, ndër të tjera nxiti serbët në Kosovë të mos heqin dorë nga Kosova, një territor i banuar me shumicë shqiptare, “që dikur e dominonin vetë ata dhe për të cilin edhe luftuan”, shkruan tutje duke cituar Vuçiqin të ketë thënë se nuk do të lejojë që numri i serbëve të zvogëlohet në Kosovë.

Ndonëse bëhet e qartë edhe në artikull se edhe Vuçiqi kërkon hetim të menjëhershëm për zbardhjen e vrasjes së Ivanoviqit.

NYT shkruan se Vuçiqi është pasardhës i ish-diktatorit serb Sllobodan Millosheviqit, i cili u ngrit në pushtet falë mbështetjes së serbëve të Kosovës në fund të viteve të 80-ta.

“Si lider i Serbisë, njëherë si kryeministër e më pas president, Vuçiqi po bën hapat e Millosheviqit duke u paraqitur si figurë qendrore në jetën e serbëve që jetojnë në Kosovë”, shkruan NYT.

Ndryshe nga Millosheviqi, i cili sfidoi dhe luftoi me Perëndimorët, Vuçiqi e cilëson veten si pro-perëndimorë.

Mediet në Serbi, në mënyrë rutinore shkruajnë kundër shqiptarëve dhe serbëve të cilët mbështesin çdo lloj kompromisi me Kosovën, madje duke përdorur gjuhë fyese, shkruan NYT.

“Kosova dhe serbët në Kosovë kanë qenë gjithmonë qendra e një regjimi nacionalist dhe populist në Serbi”, tha Dragan Popoviç, analist politik i cili drejton Institutin e Politikave.

Sipas tij, nëse Vuçiqi do që të mbetet në pushtet, duhet t’i mbajë serbët në një gjendje të vazhdueshme frike, veçanërisht ata në Kosovë.

“Kjo edhe ishte arsyeja që ai shkoi në Kosovë menjëherë pas vdekjes së Ivanoviqit, të cilin edhe e akuzonte se ishte tradhtar”, shkruan ai.

NYT shkruan se Vuçiqi ka thënë se bisedimet me zyrtarët e Kosovës për normalizimin e marrëdhënieve nuk do të rifillojnë në Bruksel derisa të zbardhet vrasja e Ivanoviqit.

Tutje shkruan se situata e tillë madje komplikon çështjet e fundit. Në një deklaratë të lëshuar pak orë pas njoftimit të agjendës së Vuçiqit, ambasadori amerikan Greg Delawie, tha se “askush nuk duhet të përfitojë nga ky krim vetëm për qëllime politike”.

Në anën tjetër, kritikët e presidentit serb Vuçiq, e akuzojnë atë për nxitjen e frikës, pasi politikisht ato janë të dobishme, por se ai po provon që t’i mbajë nën kontroll.

Ndër të tjera shkruan se kur Vuçiq u takua me serbët në Kosovë, pati turma që bërtisnin “President na ndihmo të gjithëve. Ne jemi shënjestër vetëm pse jemi serbë. Të lutem na ndihmo, a mund të na garantosh siguri në tokën tonë”, citon NYT serbët në Kosovë.

Derisa Vuçiq u bëri thirrje autoriteteve në Prishtinë për të hetuar vrasjen e Ivanoviqit, ai tha se qeveria në Beograd po kërkon mënyra për të forcuar mbrojtjen e serbëve të Kosovës.