Arbëri

Franca thotë se Vuçiqi e di: Njëherë marrëveshja me Kosovën, tani integrimi në BE

Foto: Koha

Franca është mik i Serbisë dhe miqtë po tregojnë të vërtetën se nuk do të ketë integrim të Serbisë në Bashkimin Evropian pa një marrëveshje mbi Kosovën.

Kjo u tha në një intervistë për Fonet me ambasadorin e Francës në Beograd Frederic Mondoloni.

“Mendoj se presidenti dhe Qeveria e Serbisë e di, dhe unë e di se populli serb gjithashtu e di se nuk do të ketë integrim të Serbisë në BE pa marrëveshje për Kosovën”, vuri në dukje Mondoloni.

Ai shpjegoi se stabiliteti rajonal duhet të ruhet, për të ndërtuar një paqe të qëndrueshme dhe për të përmbushur kushtet për pranim, që është kapitulli 35 në negociatat me BE.

“Për ne, marrëveshja e Brukselit e vitit 2013 është shumë e rëndësishme, por ajo duhet të zbatohet nga Prishtina dhe Beogradi”, tha ambasadori francez, përcjell ksp.

Ai theksoi se duhet shkuar deri në fund me logjikën e vazhdimit të dialogut me Prishtinën.

Mondoloni tha se dëshiron që të vazhdojë dialogu me Prishtinën sa më shpejt që të jetë e mundur.

“Do të ketë më shumë vështirësi dhe tensione, por nuk lejojmë që rrugët e së kaluarës të kthehen në rajon”, tha ai.