Arbëri

Qytetarët zgjedhin bjeshkët për të kaluar vikendin, Boga destinacion i kërkuar

Qindra qytetarë kanë zgjedhur bjeshkët e Rugovës për të kaluar këtë fundjavë.

Pos shtëpizave e hoteleve të shumta, qytetarët kanë mundësi të shfrytëzojnë edhe pistën e skijimit, këtu në fshatin Bogë të Pejës, raporton KTV.

Vetëm gjatë stinës së dimrit, numri i vizitorëve arrin deri në 10 mijë.

Pushuesit thonë pas një jave me shumë punë, ia vlen të kalohet fundjave me bukuritë që i ofron Boga.

Disa prej tyre, kishin vërejtje për pistat e skijimit. Ndërsa, të kënaqur thonë të jenë me çmimet që i ofrojnë bizneset.

Megjithatë, problem vazhdon të mbesë hapësira e vogël për vetura.

Shume prej vizitorëve ishin detyruar t’i lënë ato gjatë rrugës, ende pa arritur në destinacion, për shkak të numrit të madh të vizitorëve.

Pos dimrit, Boga frekuentohet edhe gjatë stinëve të tjera të vitit.

Brenda vitit numri i vizitorëve arrin deri ne 30 mijë turistë, të cilët nuk janë vetëm nga Kosova, por edhe Shqipëria, Gjermania, Italia, Franca e shumë vende të tjera.