Arbëri

Përfundon takimi treditor Bushati-Kotzias

U përmbyll sot në Korçë dita e tretë e bisedimeve mes ministrit të Jashtëm të Shqipërisë Ditmir Bushati dhe homologut të tij grek, Nikos Kotzias.

Lidhur me takimin ka ardhur edhe deklarata e përbashkët e Ministrive të Punëve të Jashtme, ku thuhet se palët kanë bërë përparim thelbësor drejt zgjidhjes së çështjeve të pazgjidhura.

Fakti që në deklaratë nuk përmendet asnjë nga çështjet e mëdha, ligji i luftës apo kufiri detar, nënkupton se bisedimet nuk kanë sjellë ende rezultate konkrete, shkruan Shekulli.

Njoftim i përbashkët i Ministrive të Punëve të Jashtme

Ministrat e Punëve të Jashtme të Shqipërisë dhe Greqisë, Ditmir Bushati dhe Nikos Kotzias, zhvilluan bisedime në Korçë më 19-21 janar 2018, duke u fokusuar në çështjet bilaterale.

Në vijim të takimit që u zhvillua në Kretë nëntorin e kaluar, të dyja ekipet bënë përparim thelbësor drejt arritjes së zgjidhjeve të qëndrueshme dhe afatgjata për çështjet e pazgjidhura, në përfitim reciprok të të dy vendeve dhe qytetarëve të tyre, në përputhje me vlerat dhe normat evropiane.

Diskutimet u zhvilluan në një atmosferë miqësore dhe konstruktive dhe të dyja palët përsëritën angazhimin e tyre për të ndjekur më tej dialogun në të gjitha nivelet në muajt në vijim.