Arbëri

Ngrihet rrjeti i blogerave shqiptarë për promovimin e turizmit në Shqipëri

Ministri i Turizmit dhe i Mjedisit, Blendi Klosi, shpalli ngritjen e rrjetit të blogerave shqiptarë për promovimin e turizmit në Shqipëri.

Nisma më e fundit që synon të krijojë një fushatë të gjerë promovuese në rrjetet sociale përmes figurave të spikatura të vendit tonë në botë, u lansua nga kreu i turizmit në eventin “Oda Shqiptare”, një mbrëmje që kishte bërë bashkë 200 figura të spikatura shqiptare në vend dhe në botë, në fushën e artit, kulturës, biznesit dhe politikës shqiptare e në rajon.

Ftesës së ministrit Klosi i ishin përgjigjur edhe ministrat e turizmit në rajonin tonë.

“Jemi këtu për një qëllim shumë të thjeshtë; të bëhemi bashkë. Vendet me tradita turistike, e kanë një nga armët më të forta të promovimit të vlerave kombëtare, përmes emrave të njohur të vendeve të tyre. Kjo është ajo që duam të bëjmë të gjithë bashkë. Themelimin e rrjetit shqiptar të turizmit, nga Oda e traditave shqip”, tha ministri Klosi në fjalën e tij gjatë eventit të mbajtur në Pallatin e Brigadave.

Kreu i turizmit shqiptar tha se në një botë gjithmonë e më shumë në lëvizje,në një kohë ku njerëzit kërkojnë eksperienca dhe duan të njohin vende dhe kultura, natyrë dhe përvojë të veçantë, është mundësia e artë, për të tërhequr vëmendjen drejt Shqipërisë për të qenë vendi i kërkuar i vizitorëve dhe turistëve të huaj.

Duke bërë një panoramë historike të imazhit të Shqipërisë në shekuj, Ministri Klosi u kërkoi personaliteteve të pranishëm që të shpërndajnë përmes teknologjisë, jehonën e vlerave natyrore historike e kulturore të vendit tonë në mbarë botën.

“Një klikim i juaj, në profilet tuaja, i një fotoje, videoje apo share, nga bregdeti, Alpet, Tirana, Berati, Gjirokastra, natyra, gatimi apo histori Shqipërie, ka efektin e më shumë se dhjetra panaireve, takimeve zyrtare apo parave të shpenzuara për promovim. Kjo është një e mirë që ju mund t’ja bëni Shqipërisë, turizmit shqiptar. Ngritja e rrjetit të blogerave shqiptarë, nismën që lançojmë sot, që dikush mund ta quajë patriotike apo pragmatike, është vetëm në të mirë të vendit tuaj, vendit tonë të përbashkët”, apeloi ministri Klosi duke ftuar të pranishmit, që pa humbur kohë edhe gjatë mbrëmjes të shpërndanin videon promovuese për Shqipërinë.

“Nisma për të përbashkuar në misionin për promovimin e turizmit, të blogerave është më e thjeshtë, nëse kemi vullnetin, dëshirën dhe dashurinë për vendin. Madje mund të nisim që tani, me shpërndarjen e një videoje të shkurtër nga Shqipëria nëpër profilet tuaja, të Shqipërisë së Alpeve, Adriatikut, Jonit, kështjellave, veshjeve karakteristike, jetës së natës, e vendeve të paeksploruara, të vendit të një populli mikpritës, që një reviste prestigjioze evropiane, na përshkruante pak kohë më parë, si “njerëz të etur për të ndarë dashurinë e vendit të tyre dhe gjithmonë të gatshëm për të ardhur në ndihmë”, theksoi ai.

Klosi konfirmoi edhe njëherë se qeveria shqiptare ka ndërmarrë iniciativa për ta bërë Shqipërinë konkurruese duke ecur në drejtim të lehtësirave për investime strategjike, për ngritje të hoteleve dhe resorteve me 4 dhe 5 yje, si dhe miratimin e 100 fshatrave të parë turistikë, për të investuar dhe shndërruar në destinacione të mirëfillta turistike në kuadër të “Rilindjes rurale”.