Arbëri

Tirana gjelbërohet me 77 mijë pemë të reja

Aksioni i nisur nga Bashkia e Tiranës e ka çuar numrin e pemëve të mbjella në 77 mijë.

Kryebashkiaku Erion Veliaj thotë se faza e mëtejshme për gjelbërimin e qytetit do të përfundojë në 21 mars, me një finale të madhe, datë kur synohet të përfundojë mbjellja e 100 mijë pemëve në total nga kjo nismë.

“Sigurisht, e filluam mbarë vitin me mbjelljet, vijuam në “Ditën e Skënderbeut” me 550 ullinj. Ndërkohë, do të vazhdojmë me të gjithë datat e shënuara, me 14 shkurtin, ditën e të dashuruarve, për 7-8 Marsin, ditën e mësuesve dhe të nënës”, tha Veliaj, shkruan tch.

Nismës së bashkisë së kryeqytetit iu bashkua edhe tenori i mirënjohur, Saimir Pirgu: “Një ditë ndryshe. Mbillet një pemë, një fidan, mbillet një e ardhme. Është me të vërtetë një gjë e bukur dhe e veçantë dhe unë jam i kënaqur për këtë”.

Veliaj thotë se qytetarët kanë ende kohë që të bëhen pjesë e këtij aksioni për gjelbërimin e Tiranës: “Do të doja që t’i bëja thirrje të gjithë qytetarëve, secili prej nesh mund të gjejë gjysmë ore për të mbjellë një fidan, për t’i lënë një pajë qytetit, që edhe kur të mos jemi ne, por të jetë një gjeneratë tjetër, të kemi mundësi ta kthejmë kokën mbrapa dhe të themi: “Lamë një shenjë në qytetin tonë. Besoj që, siç e kemi nisur, ditët më të mira për Tiranën janë përpara”.