Nëntë vjet pavarësi, pak festë e shumë zhgënjim

Nëntë vjet pavarësi, pak festë e shumë zhgënjim

17 shkurt 2017 14:08

Para nëntë vitesh Kosova u shpall shtet i pavarur. Pas asaj date optimizmi i qytetarëve për një jetë më të mirë ishte rritur. Mirëpo ky optimizëm duket se ka rënë pasi që qytetarët ankohen për jetën e vështirë, sidomos për shifra të larta të papunësisë.

Këtë mendim e mbajnë edhe pas nëntë vitesh të shpalljes së Pavarësisë më 17 shkurt 2008.

Qytetarët e intervistuar për KosovaPress thonë se premtimet që janë bërë se çdo gjë do të bëhet mirë pas shpalljes së Pavarësisë nuk janë mbajtur nga krerët e shtetit.

Synavere Llapaj, thotë se për këto nëntë vite të pavarësisë nuk ka ndryshuar ndonjë gjë. Ajo thotë se premtimet e bëra nuk janë mbajtur.

“Prej pavarësisë deri më tani nuk po muj me thënë që është bërë ndonjë ndryshua, unë po mendoj kështu. Do të thotë veç edhe ma keq është bërë, nuk kam parë diçka më mirë. Është papunësi shumë e madhe... kështu nuk ekziston kërkund në botë ma papunësi se në Kosovë. Kështu ka shumë gjëra që nuk janë të rregulluara, kanë thënë por premtimet që i kanë dhënë nuk i kanë mbajtë asnjë deri më tani. Ndoshta tash e mas, ndoshta do të bëhet diçka por prapë nuk mendoj”, tha Llapaj për KosovaPress.

Një tjetër shprehet shumë i zhgënjyer me gjendjen aktuale në Kosovë.

65 vjeqari Brahim Smajli nga një fshat i Podujevës thotë se ka pritur më mirë, por për nëntë vjet situata veç sa është përkeqësuar në Kosovë.

Kadriu, i cili nuk deshi të flasë para kamerës përmendi krizën e papunësisë sidomos të të rinjve si dhe shumë gjëra tjera që sipas tij e kanë ngulfatur shtetin. Ai kritikon udhëheqësit e shtetit se nuk po mendojnë për popullin por vetëm për xhepat e tyre.

“Për këta nëntë vjet unë s’kam pa asgjë të mirë në këtë vend. Shpresat se pas shpalljes së pavarësisë do të kemi një jetë më të mirë na janë shuar. Qysh mundem me i thënë një shteti i fortë dhe stabil kur djemtë dhe vajzat e reja si të zgjohen nga gjumi mendojnë se në cilin vend të Evropës t’ia mësyjnë për të ikur. Nuk bën kështu më, diçka duhet me ndryshu”, tha Smajli.

Megjithatë për pensionistin llapjan ka një fije shprese tek gjeneratat e reja të cilët sipas tij duhet ta marrin drejtimin e shtetit sa më shpejt.

Megjithatë ka dikush që mendon se në Kosovë janë bërë përparime. Florim Kadriu tha se gjatë këtyre viteve ka pasur ndryshime për të mirë në Kosovë.

Kadriu tha se Kosovës i ka mbetur që ta bëjë vetëm edhe ushtrinë dhe gjithçka është në rregull.

“Po ka dallime, ka dallime për së miri do të thotë në rregull është, ka dallime...Shtet i ri në formim e sipër, ushtria po presim me u formua dhe gjithçka në rregull”, tha Kadriu.

Për festën e Pavarësisë janë paralajmëruar organizime në të gjitha komunat e Kosovës por edhe në nivel vendi.

Për dallim nga vitet e kaluara sivjet nuk do të ketë parakalim të Forcave të Sigurisë së Kosovës, ndërsa që nuk është paralajmëruar ndonjë koncert në ambient të hapur në kryeqytet.

Në ndërkohë komuna e Prishtinës për nder të festës së Pavarësië së Kosovës ka organizuar disa aktivitete kryesisht kulturore si dhe sot ka mbajtur një seancë solemne.

Drejtori i Kulturës në këtë komunë Besart Vllahinja tha se këtë vit komuna ka vendosur që festimin e Pavarësisë ta shtrijë në dy ditë(dje dhe sot).

“Komuna e Prishtinës këtë vit ka vendos festimin e nëntë vjetorit të pavarësisë ta shtrij në dy ditë, përkatësisht në aktivitete të cilat organizohen në datën 16 shkurt dhe 17 shkurt. Aktivitetet do të kulmojnë me 17 shkurt në hapësirat me të cilat ne menaxhojmë për shkak se është muaji shkurt dhe moti është i paparashikueshëm kemi vendos që të gjitha këto aktivitete me i majtë në hapësira të mbyllura, përkatësisht në teatrin ‘Dodona’, bibliotekën ‘Hivzi Sylejmani’, si dhe në hapësira tjera me të cilat menaxhon komuna e Prishtinës. Risi këtë vit është po ashtu që kemi filluar një praktikë të re të bashkëpunimit me partnerët tanë nga komuniteti kulturor artistik dhe agjendën për shënimin e 17 shkurtit ta pasurojmë bashkërisht me aktivitete që shënojnë këtë datë të rëndësishme”, tha ai.

Sipas Vllahinjës komuna e Prishtinës sivjet nuk ka ndarë mjete financiare për të shënuar festën e Pavarësisë pasi që dëshirojnë ta largojnë monopolin dhe të përgatisin programe kulturore.

“ Ekskluzivisht për festën e pavarësisë nuk ka pasur mjete të ndarë, ekskluzivisht thash që ne synojmë ta largojmë këtë monopolin me organizua edhe me përgatitë programe kulturore sepse komuniteti kulturor është më i thirrur dhe më profesional në këtë drejtim për me e pasura dhe me begatu jetën kulturore në Prishtinë”, tha Vllahinja për KosovaPress.

Në ndërkohë krerët e shtetit aktivitetet për festën e Pavarësisë i kanë përfunduar dje me ç’rast është mbajtur një seancë solemne ndërsa në mbrëmjen e së enjtes është organizuar një pritje shtetërore nga presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Isa Mustafa.

Sot përfaqësues të institucioneve kanë bërë homazhe në vendlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari në Prekaz si dhe në Prishtinë tek varri i ish-presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova.

Por për dallim nga institucionet qendrore dhe ato lokale, janë kafiteritë e ndryshme në kryeqytet që kanë organizuar mbrëmje muzikore për festën e Pavarësisë.

Qytetarët e Prishtinës mund të argëtohen në lokale të ndryshme ku shumë nga to kanë prenotuar mbrëmje me këngëtarë të ndryshëm.

Muzikë ‘live” do të mbajë sonte edhe njëri nga lokalet e njohura në Prishtinë ku sonte do të këndojë këngëtari Fatos Hundozi.

Gazmend Dallku, menaxher i këtij lokali tha se sikurse çdo vit edhe këtë vit kanë organizuar mbrëmje muzikore për nder të festës së pavarësisë së Kosovës.

Dallku: Çdo vit festojmë pavarësinë e Kosovës

“ Organizojmë çdo vit, çdo vit e festojmë pavarësinë e Kosovës”, tha Dallku.

Pavarësia e Kosovës është shpallur më 17 shkurt 2008, ndërsa deri më tani e kanë njohur 113 shtete.

comments powered by Disqus
Të ngjashme