Arbëri

Policia konfirmon se nxënësit e bllokuar në Brezovicë janë nisur për në shtëpitë e tyre

Si pasojë e të reshurave të mëdha që përshkuan vendin tonë gjatë ditës së sotme, ndonëse ministria e Infrastrukturës tha se të gjitha rrugët janë hapur, në Brezovicë pati probleme të shumta.

Më së keqi e pësuan disa nxënës që kishin shkuar atje me autobusë për vizitë turistike.

Por, pas disa orësh qëndrimi të ngujuar pasi njëri autobus kishte rrëshqitur, ata u zhbollkuan dhe morën rrugën për në shtëpi.

Këtë e konfirmoi komandanti i Stacionit Policor në Gjakovë, Kristë Gjokaj, i cili i siguroi prindërit se gjithçka është në rregull me fëmijët e tyre.

“Të nderuar qytetarë të Gjakovës, ju prindër që keni fëmijët tuaj në Brezovicë. Sapo mora konfirmimin zyrtar se të gjithë autobusët tashmë janë duke lëvizur në drejtim të Gjakovës, por për shkak të borës, lëvizja është e ngadalësuar por e kujdesshme”, shkroi në Facebook majori Gjokaj, raporton Koha.net.

Në pyetjet e shumta të qytetarëve se pse është dashur të pritet kaq gjatë për të liruar rrugën, Gjokaj është përgjigjur: “Bora e bën të veten. Po ashtu konfiguracioni është specifik në atë zonë”.

Në lidhje me këtë situatë të rënduar të qarkullimit rrugor në këtë pjesë të vendit tonë, gjatë ditës raportoi ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, por edhe kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj.