Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Reshjet e borës bllokojnë Grykën e Kaçanikut

18: 50 - Për shkak të reshjeve të borës rruga prej kufirit me Maqedoninë, më saktësisht Gryka e Kaçanikut, është bllokuar, raporton Koha.net.

Kalimi është vështirësuar nga reshjet e borës si dhe është krijuar një kolonë e gjatë në këtë rrugë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ministria thotë se rrugët nacionale dhe rajonale janë të kalueshme – megjithatë kërkohet kujdes

18:20 - Bora e dendur që po bie që nga mëngjesi, ka bërë që në rrugët nacionale dhe rajonale të vështirësohet qarkullimi, por falë intervenimeve të kompanive mirëmbajtëse, rrugët janë të kalueshme, kurse kërkohet nga të gjithë ngasësit që të kenë kujdes gjatë ngasjes dhe t’i kenë me vete pajisjet dimërore.

Image

Kështu ka thënë ministria e Infrastrukturës përmes një komunikate dërguar mediave, ndërsa shton se gjendje pak më e vështirësuar është në Brezovicë.

Image

“Gjendje pak më e vështirë është në Brezovicë, ngase ka një fluks të shtuar të pjesëmarrësve në trafik, që po vizitojnë këtë pjesë të vendit dhe si pasojë edhe kompanitë e mirëmbajtjes po kanë vështirësi në intervenim si pasojë e komunikacionit të dendur, mirëpo është kërkuar ndihma e Policisë së Kosovës për ta drejtuar trafikun, në mënyrë që kompanitë të kenë qasje për të vepruar në tërë segmentin e rrugës”, ka thënë kjo Ministri në njoftimin për media, raporton Koha.net.

Image

Ministria e Infrastrukturës po ashtu njofton se në të gjitha rrugët tjera, edhe përkundër borës së dendur dhe trafikut të ngarkuar, kompanitë e mirëmbajtjes së rrugëve po bëjnë çdo gjë që është e nevojshme, në mënyrë që të gjitha rrugët të jenë të kalueshme.

Image

“Deri më tani intervenime ka patur në të gjitha rrugët e vendit, duke u hedhur krip dhe rërë atyre, në mënyrë që të garantohet lëvizje e lirë dhe qarkullim i sigurt”, shton më tej MI.

Image

Ministria e Infrastrukturës u bënë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në trafikun rrugor që të lëvizin me kujdes dhe të kenë me vete pajisjet dimërore, në mënyrë që të evitohen aksidentet dhe bllokadat e mundshme në rrugë.

Image

​Ministria e Infrastrukturës po ashtu, mbetet e përkushtuar që të sigurojë rrugë të sigurta dhe të kalueshme edhe përkundër kushteve të rënduara atmosferike.


Rruga për në Brezovicë, pothuajse e pakalueshme

17:30 - Fatos Mani, këshilltar i ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka thënë për KTV se në mbarë territorin e Kosovës, rrugët janë të kalueshme, me përjashtim të Brezovicës.

“Të gjitha rrugët janë të kalueshme, por gjendja më e vështirë është në Brezovicë. Atje ka shumë automjete dhe autobusë, të cilët po e kanë problem depërtimin lartë, prandaj kemi kërkuar ndihmë nga policia e trafikut që të bëjnë zhbllokimin e rrugës”, ka thënë Fatos Mani, këshilltar i ministrit të Infrastrukturës.


Ahmeti: Gjendja e rrugëve në fshatrat e Gollakut, jo e mirë

16:44 - Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, është kyçur “live” në rrjetin social për t’i vëzhguar rrugët nëpër qytet dhe fshatra.

Ai tha se rrugët nëpër fshatrat e Gollakut nuk janë në gjendje të mirë pas reshjeve të borës që nisën në orët e hershme të ditës së sotme, raporton Koha.net.

Ndërkaq, sipas tij, rrugët kryesore të komunës janë të kalueshme.


Të gjitha rrugët në Kosovë janë të kalueshme

Të gjitha rrugët në Kosovë janë të kalueshme përkundër reshjeve të borës që kanë nisur që nga mëngjesi, raporton KTV.

Fatos Mani këshilltar i ministrit të infrastrukturës, Pal Lekaj ka thënë se deri në orën 12 e 30 të gjitha anekset rrugore ishin të kalueshme, përfshirë edhe zonat malore ku kërkoi kujdes të shtuar.

Image

Mani ka thënë për KTV-në se në këto çaste janë duke mbledhur informata nga tereni.

“Bora është duke rënë në të gjitha regjionet. Gjendja e rrugëve është e kalueshme. Probleme ka, sepse gjatë rënies edhe intervenimet nuk e bëjnë efektin 100%. Intervenime po ndodhin në të gjitha rrugët e Kosovës”, ka thënë Mani për KTV-në.

Për kalueshmëri në rrugëve të kryeqytetit ka njoftuar kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili tha se nuk ka problem as në zonën rurale.

“Të gjitha kompanitë që kujdesen për mirëmbajtjen e rrugëve janë në terren, të përgatitura për të reaguar në rast nevoje”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.