Arbëri

GAP duartroket publikimin e kontratës për “Kosovën e Re” pret që të publikohen edhe ato për rrugët

Instituti GAP përmes një njoftimi e vlerëson qasjen transparente të ministrit Valdrin Lluka, i cili, siç thuhet në njoftim, për dallim nga paraardhësit e tij në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik që nga viti 2011, Besim Beqaj (PDK), Fadil Ismajli (AKR) dhe Blerand Stavileci (PDK), ka zgjedhur të respektojë Ligjin për qasje në dokumente publike dhe të bëjë publike një ndër kontratat më të mëdha që është nënshkruar dhe bërë publike deri më tani – kontrata për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”.

“Shpresojmë që edhe institucionet tjera publike do të ndjekin shembullin e njëjtë dhe të respektojnë Ligjin për qasje në dokumente publike duke publikuar kontratat me vlerë të lartë, si: Kontratën për ndërtimin e autostradës ‘Ibrahim Rugova’, Kontratën për ndërtimin e autostradës ‘Arbër Xhaferi’, marrëveshjen për homologim të veturave dhe dokumente tjera me interes për publikun”, thuhet në njoftim.

Për të gjitha këto dokumente, duke u bazuar në Aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës të datës 17 dhjetor 2017, i cili vendos se dokumentet që paraqesin interes të përgjithshëm nuk mund të mbahen konfidenciale, Instituti GAP ka dërguar edhe një herë kërkesë tek Ministria e Infrastrukturës për të pasur qasje në dokumentet e lartcekura.

Instituti GAP thotë se do të analizojë kontratën e publikuar sot dhe në javët në vijim do të dalë me qëndrim për përmbajtjen dhe ndikimin e kontratës së nënshkruar në mes të Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë “Contour Global”.