Shkup, 19 janar - Segmente të politikës maqedonase, të motivuara nga një nacional-romantizëm i vonuar, dobësinë e vet gjithnjë e më shumë po e manifestojnë me një nacionalizëm primitiv që po merr përmasa serioze të urrejtjes ndaj shqiptarëve si popull.
Kjo dukuri mund të jetë edhe si refleks i mospajtimit të disa qarqeve maqedonase në ngritjen dhe përfshirjen institucionale të shqiptarëve në ndërtimin e një shteti pak më ndryshe nga konceptet në kokat e tyre.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoAndaj edhe janë gjithnjë e më të shpeshta mbishkrimet dhe brohoritjet e urrejtjes në baza etnike dhe fetare ndaj shqiptarëve të tipit “vdekje për shqiptarët”, mbishkrim i cili dje ndodhi në Manastir ku tregohet një urrejtje e paparë kundrejt shqiptarëve vetëm për shkak se Kuvendi miratoi Ligjin për përdorimin e gjuhëve, ligj i cili momentalisht nuk po hy në fuqi për shkak se Presidenti Ivanov nuk e ka dekretuar të njëjtin. Organet kompetente sa më shpejtë duhet të veprojnë për të gjetur kryerësit e kësaj vepre që nxitë konflikt ndëretnik dhe urrejtje, shkruan Zhurnal.
Në vitin 2011 në Tetovë disa të rinj shqiptar kishin vizatuar hartën e “Shqipërisë Etnike” me rastin e festave të nëntorit. Por kundër katër të rinjve shqiptar menjëherë nga Ministria e Punëve të Brendshme u ngrit padi penale sepse sipas ministres së atëhershme Gordana Jankullovska, ai mbishkrim i të rinjve shqiptarë cenon integritetin e shtetit të Maqedonisë ku në këtë hartë ka edhe pretendime territoriale. Ky rast shkaktoi edhe reagime jashtë kufijve të Maqedonisë. Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama (atëherë në opozitë), i ka quajtur barbarë primitivë maqedonasit për shkak të arrestimit të katër shqiptarëve që vizatuan hartën e Shqipërisë etnike në Tetovë.
“Çdo kush ka të drejtë të vizatojë harta. Mund të vizatojë edhe hartën e botës dhe të shkruajë: ‘Kjo është republika ime’, dhe çfarë të bëjnë ta dërgojnë në Hagë dhe ta akuzojnë për krime kundër gjithë botës? Çfarë janë këta barbarë primitivë, kjo është e patolerueshme”, pati thënë Rama.
Këto komente kreu socialist i pati bërë gjatë promovimit të librit të tij, “Kurbani”, në Shkup në vitin 2011.
Por të kthehemi në mbishkrimet e djeshme në Manastir. Duke u bazuar në rastin që cekëm në fjalë që ndodhi në vitin 2011 në Tetovë, atëherë me automatizëm MPB dhe organet tjera kompetente duhet të marrin masa dhe veprime urgjente që personat që shkruan mbishkrimet antishqiptare dje në Manastir, të dalin para organeve të drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar, në të kundërtën edhe njëherë do të dëshmohet se në Maqedoni drejtësia vendoset në mënyrë të selektuar.
Për këtë zv.ministri i MPB-së, Agim Nuhiu për Agjencinë e Lajmeve Zhurnal konfirmoi se SPB-Manastir tanimë po ndërmerr masat dhe po realizojnë anketime me qytetarët dhe me pronarët e lokaleve afariste. Nuhiu thotë se në atë rrethinë po kërkohen edhe incizimet eventuale nga kamerat në disa objekte të caktuara.
“Nga ana e Sektorit të punëve të brendshme në Manastir po ndërmerren masat dhe aktivitetet standarde operative. Po realizohen anketime me qytetarë dhe me banorët e rrethinës, me pronarët lokaleve afariste, me punonjësit në të njëjtat dhe kërkohen incizimet eventuale nga kamerat në objektet e caktuara. Aktivitetet e policisë së Manastirit janë në rrjedhë e sipër”, ka deklaruar për Zhurnal, zv.ministri i MPB-së, Agim Nuhiu.
Ndryshe, në Manastir edhe më herët ka pasur mbishkrime antishqiptare. Në vitin 2016, gjegjësisht në ditën e festës së shqiptarëve, ditës së flamurit në Manastir u shfaqën mbishkrimet antishqiptare. “Vdekje për shqiptarët” dhe “Stop shqiptarizimit të Maqedonisë” ishin vendosur në Drejtorinë e parkut nacional “Pelisteri” në Manastir në ditën kur shqiptarët festojnë 28 Nëntorin. Mbishkrimet të njëjta në Manastir kishte edhe në përvjetorin e Kongresit të Manastirit gjatë vitit 2016.