Arbëri

Krasniqi: Deputetët të tërhiqen e iniciuesit të distancohen qartë nga zhbërja e Speciales

Duke u ndërlidhur me tonet e ashpra ndërkombëtare që pasojnë nismën e deputetëve për të zhbërë Gjykatën Speciale, Albert Krasniqi nga KDI, thotë se deri më tani, nuk janë dëgjuar këso lloj tone e kritika në adresë të lidershipit të Kosovës, nga ana e shteteve aleate.

“Do të duhet që deputetët përfundimisht të heqin dorë prej kësaj iniciative dhe të gjithë ata që qëndrojnë parapa kësaj iniciative të bëjnë një distancim të qartë nga secila përpjekje për të shfuqizuar Ligjin për Gjykatën Speciale, për shkak se kjo praktikisht është e pamundur dhe të mos fshihen prapa formave tjera që kanë për qëllim destabilizimin e vendit, ngritjen e tensioneve dhe konflikteve të brendshme, sepse pasojat do të jenë afatgjatë dhe pastaj do të duhet kohë e gjatë për t’u rikuperuar prej dëmeve potenciale që mund të shkaktohen në këtë proces”, thotë Krasniqi.

Më 22 dhjetor të vitit të kaluar një grup i deputetëve të Kuvendit të Kosovës pati ndërmarrë një nismë për shfuqizimin e Gjykatës Speciale për krime lufte.

Nisma e deputetëve për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, pasoi një peticion të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me të cilin kërkonin nga Kuvendi i Kosovës ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.

Mandati i Gjykata Speciale për krime lufte, përkufizohet kryesisht në hetimet dhe gjykimet e rasteve të pretenduara të krimeve të luftës nga ana e disa ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndaj pjesëtarëve të komuniteteve pakicë dhe kundërshtarëve, që përfshinë periudhën kohore nga viti 1998 e deri në fund të vitit 2000.